Një person është ndaluar për 48 orë nga Policia e Kosovës nën dyshimin për kontrabandë me mallra.
Policia, në bashkëpunim me Doganën në rrugën Preshevë-Gjilan, kanë tentuar ta ndalojnë veturën me targa të Serbisë.
Por, sipas njoftimit, drejtuesi i automjetit nuk ka zbatuar urdhrat për ndalje dhe ka tentuar të kthehet në drejtim të Serbisë. Në dalje të fshatit Pasjan, policia kanë arritur të ndalojnë automjetin e dyshuar me drejtues Q.H., dhe pasagjer Y.Sh., që të dy nga Presheva.
Gjatë kontrollit të automjetit, është vërejtur se në veturë i dyshuari kishte të ngarkuar disa thasë me nxehëse të ndryshme për bojlerë dhe shporet elektrik (934 copë, mall me origjinë nga Serbia, vlera e tregut është mbi 10.000 €).
“Lidhur me rastin, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit drejtuesi i automjetit ndalohet për 48 orë, malli i kontrabanduar dhe automjeti sekuestrohet dhe dërgohen në terminalin doganor-Dheu i Bardhë”, thuhet në njoftim.