Lideri opozitar në Serbi, Nikola Sanduloviq, ka thënë se ish-emisari amerikan, Richard Grenell, është i përfshirë në rrahjen e tij brutale nga policia sekrete serbe në ndërtesën e BIA-s.
Rrahja e tij nga BIA, siç thotë ai, ndodhi menjëherë pas mesazhit që mori nga Grenelli në rrjetin social “X”, teksa ka shtuar se bashkëpunëtorë të tij në këtë rast janë Aleksandar Vuçiq, Aleksandar Vulin, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq.
“Pas gjithë informacionit që kam marrë, me arsye dyshoj se ju keni qenë nxitësi i rrëmbimit, torturës dhe rrahjes sime në zyrat e BIA-s. Kjo ndodhi menjëherë pas mesazhit tuaj kërcënues që më dërguat në rrjetin X, ‘Gjej një avokat, do të të duhet’. Bashkëpunëtorët tuaj në këtë ishin: Aleksandar Vuçiq, Aleksandar Vulin, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq”, ka shkruar Sanduloviq.
Sanduloviq ka paralajmëruar padi ndaj Grenellit teksa ka kërkuar nga ndërkombëtarët të nisin hetimet në lidhje me këtë ngjarje, pasi siç thotë ai, ka shumë informacione për të dhënë në lidhje edhe me raste të tjera ndaj Grenellit si “përfitimi i shumave të mëdha financiare” në krah të pozitës në Departamentin e Shtetit.
“I kërkoj Komunitetit të Inteligjencës Amerikane dhe Departamentit Amerikan të Drejtësisë të hetojnë lidhjen tuaj me këta kriminelë dhe të më ftojnë të jap të gjithë informacionin dhe njohuritë që kam për këtë ngjarje. Gjithashtu, jam i gatshëm të ndaj me ta të gjithë informacionin që kam në lidhje me përfshirjen tuaj private në Shqipëri, Kosovë, Serbi ku keni përfituar shumë të mëdha financiare, duke iu referuar pozicioneve dhe kontakteve tuaja në Departamentin e Shtetit. Për shkak të përfshirjes suaj në rrëmbimin dhe rrahjen time në bashkëpunim me BIA dhe kriminelët e lartpërmendur, unë do të bëj një padi në Amerikë kundër jush. Sigurisht, për shkak të krimit tuaj, unë nuk do të mbështes Donald Trumpin dhe si një republikan i vërtetë i moderuar do t’u bëj thirrje të gjithë serbëve në Amerikë të votojnë për Biden-in”, ka vijuar Sanduloviq.
Mr. @RichardGrenell!
After all the information I received, I reasonably suspect that you were the instigator of my kidnapping, torture and beating in the BIA offices.
This happened right after your threatening message you sent me on the X network: "Find a lawyer, you'll need… pic.twitter.com/Xyh2iWxBNF— Nikola Sandulovic (@Sandulovic_N) March 21, 2024
Muaj më parë, Richard Grenell dhe Nikola Sanduloviq kishin pasur një përplasje në “X”.
Sanduloviq i kishte reaguar Grenellit duke thënë se ai është një mercenar dhe është i blerë nga “krimineli i luftës, Aleksandar Vuçiq”.
“Ju Richard Grenell jeni një mercenar që është në anën e gabuar të historisë dhe vendit tuaj! Ju jeni blerë nga krimineli i luftës Aleksandar Vuçiq që la pas mijëra viktima të pafajshme të kombësisë shqiptare, kroate dhe boshnjake”, kishte shkruar Sanduloviq muaj më parë në “X”.
Pas kësaj erdhi reagimi i Grenellit, i cili i tha “Merreni një avokat, do të ju nevojitet”.
Kujtojmë se politikani opozitar serb, Nikola Sanduloviq, është rrahur brutalisht në janar të këtij viti në Serbi.
E gjithë kjo ndodhi një ditë pasi Sanduloviq publikoi video duke bërë homazhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz, ku edhe kërkoi falje për krimet që ka kryer Serbia.