Pa gjetje të mbetjeve mortore kanë përfunduar gërmimet ditë më parë në një lokacion në Suharekë, ndërkaq gjetje pati në Prekaz, si rezultat i gërmimeve në fund të shkurtit.
Kjo u bë e ditur nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit. Në Prekaz u gjetën mbetje kockore të një individi, identiteti i të cilit do të përcaktohet vetëm pas rezultateve nga analiza e ADN-së.
Kushtrim Gara nga ky Komision i tha RTK-së se gërmimet vlerësuese do të vazhdojnë edhe në lokacionet e tjera tanimë të shënjuara dhe për të cilat janë siguruar “urdhrat për zhvarrim”.
Ndërkohë për kryetarin e këtij komisioni, Andin Hoti, shqetësuese mbesin lokacionet në Serbi.
Ai tha se i kanë dërguar sërish letër në janar shefit të diplomacisë evropiane Borell, derisa këtë shqetësim tha ai se do ta përcjellë në Bruksel edhe kryenegociatori kosovar, Besnik Bislimi./RTK