Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës është e vendosur që të vë rend në operimin e gurëthyesve anëkënd vendit, duke shtuar se ka zero tolerancë ndaj gurëthyesve ilegal.
Ministri ka thënë se koha kur shëndeti i qytetarëve të Kosovës rrezikohej nga operatorë dhe kompani të ndryshme të cilat vepronin në mënyrë ilegale tashmë ka kaluar.
“Shkatërrimi i natyrës, dëmtimi i shëndetit, pronës private dhe publike nga operatorët ilegal nuk është më e mundur”, ka shkruar Aliu.
Ai ka njoftuar se sot kanë bërë katër inspektime në terren në rajonin e Prizrenit dhe sipas tij, këto inspektime veçse do të shtohen në ditët në vijim.
“Në kuadër të këtyre parimeve, sot bëmë katër inspektime në terren në rajonin e Prizrenit dhe këto inspektime veçse do të shtohen në ditët në vijim, dhe kështu do të marrim masa ndaj secilit që do të shkel ligjin dhe vepron pa leje”, ka shkruar ai.