Dje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se është finalizuar dosja me më shumë se 600 faqe nga rishikimi i 38 teksteve mësimore të klasave I-IX, për gjuhë dhe matematikë.
Lidhur me këtë ka reaguar ish-këshilltari i tij, Shkelzen Gashi, i cili, përmes një postimi, ka thënë se kjo nuk është “kurrfarë pune”, duke shtuar se “në rregull që ke deshtu, por mos na ofendo tash”.
Gashi ka thënë se kryeministri e ka humbur “shansen ideale” për të reformuar arsimin dhe sipas tij, “për ta mbuluar dështimin e tij spektakolar” ka vendosur ta publikojë këtë dosje.
“Ata që ishin në pushtet para Albin Kurtit e fundosën arsimin në fund të pusit. Albin Kurti e humbi shansen ideale për me reformu arsimin. Sonte për më e mbulu dështimin e tij spektakular në këtë fushë, paska dalë me na hedhë hi syve tu e prezentu një dosje me 600 faqe”, ka shkruar Gashi.
Në anën tjetër, Kurti ka thënë se këto raporte do të ndahen me publikun, shtëpitë botuese dhe me autorët e teksteve.
Kreu i ekzekutivit është shprehur optimist që ky raport do të nxisë debat publik të mësimdhënësve, prindërve, nxënësve e ekspertëve të arsimit.
Kryeministri ka shtuar se rishikimi i teksteve do të vazhdojë dhe se librat e gjuhës shqipe dhe të matematikës i takojnë vetëm fazës së parë të këtij procesi, sepse, sipas tij, kanë vlerësuar që janë prioritare edhe për shkak se janë fusha të testuara në PISA.