Gjatë ditës së sotme, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shpërndarë certifikatat për 56 kandidatët të cilët e kanë kaluar provimin e noterisë.
Haxhiu ka thënë se ky proces ishte transparent krahasuar me atë të vitit 2019.
“Të nderuar kandidatë që keni dhënë provimin e noterisë, sot jemi pas një rrugëtimi të gjatë, ka kohë shumë komuna kanë mbetur pa noterë, procesi 2019, ndërhyrje nga brenda e jashtë gjithandej .Gjykata Kushtetuese kishte thënë se ai proces ka qenë i ligjshëm. Do donim që ai proces të anulohej në tërësi. Më duket e padrejtë ndaj jush, sepse ju u jeni nënshtruar një procesi me akuza se ka qenë e vështirë”, ka thënë Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë ka kërkuar nga noterët që t’i shërbejnë sistemit të drejtësisë me nder. Ajo është shprehur se nga 437 kandidatë janë përzgjedhur vetëm 56 prej tyre, sepse, sipas saj, komisioni kësaj here ka vendosur standarde të larta.
Haxhiu ka njoftuar se së shpejti do të hapen konkurse për noterë të rinj për vende të tjera, mes tyre edhe në veriun e vendit.