Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, do të mbështesë kërkesën eventuale të partive opozitare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, që automatikisht do të dërgonte vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare, thotë deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi.
Ai për KosovaPress thotë se janë të gatshëm për zgjedhje të parakohshme dhe këtë do të dëshmojnë përmes përkrahjes për vetëshkarkimin e deputetëve.
“Ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm për zgjedhje, pa asnjë dyshim. Tashmë këtë gatishmëri për zgjedhje e kemi shoqëruar edhe me gatishmëri për të mbështetur kërkesën eventuale të opozitës për të shpërndarë Kuvendin. Mbi bazën e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në vitin 2020, ekziston vetëm një mundësi për të shkuar me automatizëm në zgjedhje, kjo është shpërndarja e Kuvendit. Shpërndarja e Kuvendit kërkon dy të tretat e deputetëve dhe nuk kërkon nënshkrime, thjesht nëse ka kërkesë për të shpërndarë Kuvendin, është çështje pastaj e deputetëve në mënyrë të hapur”, thotë Rrustemi.
Sipas tij, nëse partitë opozitare i kanë pasur seriozisht kërkesat e vazhdueshme për zgjedhje të parakohshme, atëherë tash e kanë mundësinë që të iniciojnë kërkesën për shpërndarjen e legjislaturës së tetë.
Megjithatë, ai është skeptik se opozita do të bëjë një gjë të tillë, madje duke ironizuar pyet se çfarë opozite është ajo e cila nuk është e gatshme për zgjedhje.
“Nëse opozita ka pasur me gjithë mend kërkesën e tyre për zgjedhje të parakohshme, unë mendoj se tash e kanë rastin për të jetësuar këtë kërkesë dhe dëshirë të tyre, nëse vërtet e kanë pasur të tillë. Në anën tjetër, çfarë opozite është ajo opozitë e cila nuk është e gatshme të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Kudo, në cilido vend demokratik dhe kurdo opozita presupozohet të jetë më e gatshme të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Nëse vërtet e kanë me të gjithë mend që duhet të ketë zgjedhje të parakohshme në Kosovë, atëherë e kanë rastin për të iniciuar kërkesën për të shpërndarë Kuvendin dhe natyrisht LVV-ja do të mbështesë me votë”, shton Rrustemi.
Ndryshimi i qëndrimit të LVV-së për zgjedhje të parakohshme, deputeti Rrustemi thotë se nuk është i ndërlidhur me presionin ndërkombëtar për çështjen e dinarit dhe të themelimit të Asociacionit.
Ai është i bindur se LVV-ja, do të jetë fituese e serishme e zgjedhjeve dhe se me qeverinë do të udhëheq sërish Albin Kurti.
“Lëvizja Vetëvendosje është e bindur edhe nëse shkojmë në zgjedhje të parakohshme, do të jetë fituese bindëse e këtyre zgjedhjeve dhe do të jetë përsëri ajo që do të qeverisë me Kosovën. Do të jetë përsëri kryeministri Kurti që do të përballet me këto procese që po ndodhin në Kosovë dhe përreth Kosovës. Unë nuk do të doja të ndërlidhi, nuk mendoj se as njëra e shkakton tjetrën dhe as tjetra nuk e shmang njërën”, deklaron ai.
Duke folur për dërgimin e propozimeve në Bruksel për rregulloren e BQK-së dhe takimin e javës së ardhshme të kryenegociatorëve, Rrustemi thotë se e njëjta është e padiskutueshme dhe se nuk do të vihet në pikëpyetje.
Siç thotë ai, e vetmja çështje që do të diskutohet janë opsionet që do të mundësojnë transferimin e mbështetjes financiare nga Serbia për qytetarët serbë të Kosovës.
“Rregullorja e BQK-së, është e padiskutueshme, nuk vihet në pikëpyetje, sikurse nuk diskutohet përdorimi ose jo i dinarit në Kosovë. Thjesht po diskutohen opsionet që mundësojnë le të themi transferimin e mbështetjes financiare që parashihet me ligj nga Serbia për qytetarët e Kosovës të përkatësisë serbe. Për të siguruar se kjo mbështetje financiare arrin te përfituesi i fundit, pra nuk po diskutohet rregullorja dhe as dinari. Pas periudhës tranzitore, valuta e vetme që do të përdoret në tërë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun do të jetë euro”, shton Rrustemi.
Më tej, ai rendit, siç thotë sukseset që Qeveria Kurti ka arritur tri vjet nga marrja e detyrës.
“Gjatë këtyre tre viteve përveç luftimit të korrupsionit dhe ndalimit të korrupsionit që ka qenë i pranishëm në nivelin e lartë te zyrtarët publikë, përmirësimit të bazës ligjore në secilin sektorë, konceptimin dhe inicimin e reformave rrënjësore në shumë sektorë, drejtësi, arsim, energjetikë dhe shëndetësi, deri le të themi përmirësimi i parametrave të zhvillimit ekonomik dhe performancës financiare të Kosovës. Në rrafshin e konsolidimit të shtetit të Kosovës, në këto tre vite dhe këtë qeverisje e ka karakterizuar një vendosmëri për të shtrirë sovranitetin në tërë territorin e Kosovës, për të respektuar Kushtetutën kudo, në secilën pjesë dhe ka qenë përballja e vendosur përballë Serbisë për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e Kosovës”, përfundon Rrustemi./KSP