Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me vdekjen e Triumf Feratit, djalit të të ndjerit Fadil Ferati, ish-kryetar i komunës së Istogut, si dhe vëlla i kryetarit aktual Ilir Feratit.
Në raportin 24-orësh thuhet se në vendin e ngjarjes është gjetur një armë zjarri me 11 fishekë dhe një gëzhojë.
“Lidhur me rastin pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dal njësitë policore dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes po ashtu është gjetur dhe konfiskuar edhe një armë zjarri me 11-fishekë dhe një gëzhojë. Ndërsa me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raport.
Ngushëllimet nga liderët e shtetit
Në lidhje me vdekjen e Triumfit, familjes Ferati ngushëllimi iu ka shprehur presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
“Humbja e parakohshme e Triumf Feratit, djalit të të ndjerit Fadil Ferati, ish-kryetar i komunës së Istogut, si dhe vëlla i kryetarit aktual Ilir Feratit, na ka tronditur të gjithëve. Ju shpreh ngushëllimet më të thella familjes së Triumfit, të afërmve dhe shoqërisë! Në këto çaste tmerrësisht të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe shpresoj të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes duke kujtuar momentet e paharrueshme që krijuat bashkë me Triumfin. Shpirti i tij pushoftë në paqe! I përhershëm qoftë kujtimi për Triumfin”, ka shkruar Osmani.
Edhe kryeministri, Albin Kurti, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Ferati.
“Na tronditi e pikëlloi thellë lajmi për humbjen e Triumf Feratit. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Ferati, shokët e shoqet e Triumfit dhe mbarë Istogun. Shpresoj të mund të gjeni forcën në kujtimet e bukura me të. Jemi bashkë në këto çaste të rënda, në këtë dhembje që është e përbashkët. Shpirti i Triumfit pushoftë në paqe”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Edhe i pari i LDK-së, Lumri Abdixhiku, iu ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e Triumfit, familjes Ferati.
Ndërsa, kryetari Ferati ka njoftuar se nesër do të bëhet varrimi i vëllaut të tij, Triumfit.