Shaun Byrnes, ish-shefi i Misionit Vëzhgues Diplomatik të SHBA-ve në Kosovë në vitet 1998-1999, është dëshmitari i radhës në Gjykatën Speciale.
Ai është duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit të ZPS-së, Ward Ferdinandusse, i cili ka theksuar se Byrns gjatë misionit të tij ën Kosovë kishte vërejtur se liderët e Ushtrisë Çlirimtare ishin përpjekur të fshinin informacione në lidhje me strukturën komanduese të UCK-së.
“Në këtë rol ka ndërhyrë, ka ndërvepruar dhe ka marrë informacion nga figura drejtuese të UÇK-së duke përfshirë edhe Shtabin Përgjithshëm, ushtrinë serbe dhe liderët politik-anëtarët e LDK-së dhe partive tjera politike në Kosovë. Byrns ka marrë pjesë në komunikime të ndryshme, takime, negociata të UÇK-së duke përfshirë këtu edhe kontaktet nga Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe anëtarët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm. Në këto kontakte, Byrns ka takuar shumë herë autoritete të ndryshme të UÇK-së dhe ka ngritur pyetje që kanë të bëjnë me rrëmbime ose ndalime nga anëtarët e UÇK-së. Ai ka vënë re se liderët e UÇK-së janë përpjekur që të fshehin informacion sa i takon strukturës së komandës së UÇK-së”, ka thënë prokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Byrns, pak para fillimit të dëshmisë, ka thënë se nuk ka ardhur të dëshmojë me iniciativën e tij por që këtë ia ka kërkuar Departamenti Amerikan i Shtetit dhe ZPS-ja për shkak të funksionit të tij në Kosovë gjatë vitit 1998-99.
“Dëshirojë të them që jam këtu me kërkesë të Departamentit të Shtetit dhe Prokurorit të Specializuar, nuk kam ardhur këtu me nismën time vetjake. Megjithatë, e pranojë përgjegjësinë që do të jep dëshmi duke marrë parasysh pozicionin tim dhe përgjegjësitë e mija në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999”, ka thënë Byrns.