Të mos harrojmë kurrë

 25 vite nga tragjedia dhe gjenocidi serb në Krushë të Madhe

Në përkujtim dhe në nderim të atyre burrave, grave dhe fëmijëve nga Krusha e Madhe që dhanë jetën për LIRINË e Kosovës. Nga 25 marsi e deri me 12 qershor të çdo viti, që nga viti 1999 përkujtohen përmasat e gjenocidit serb mbi Kosovë. Ky gjenocid deri më sot i pandëshkuar, i projektuar nga qarqet akademike serbe, i miratuar nga kisha serbe dhe i realizuar nga ushtria dhe policia fashiste serbe me planin “Patkoi”.

 Gjenocidi serb në Krushë të Madhe është një nga kapitujt më të dhimbshëm dhe më tragjik i historisë së luftës në Kosovë gjatë vitit 1999. Në këtë fshat të madh i begatuar nga Zoti me bukurinë e tij natyrore dhe më tokë bujqësore, u  shkrua një histori e tmerrshme kur forcat paramilitare, policore, ushtarake serbe ndërmorën një fushatë brutale duke kryer masakra në përmasa të mëdha në Krushë dhe fshatrat përreth.

Në natën e 25 edhe 26 marsit të vitit 1999 makineria e rëndë e ushtrisë  dhe policisë serbe hyri në fshat dhe filluan vrasjet, djegjet dhe dëbimin e krushjanëve nga shtëpitë e tyre. Njerëzit të pambrojtur u përballen me një tmerr të pashembullt, skuadra të frikshme pushkatuese që nuk kishin qëllim tjetër veçse të shfaroste dhe të masakronte popullsinë civile.

Shifrat drithërojnë zemrën e secilit që dëgjon për këtë ngjarje të tmerrshme, 241 Krushjanë u masakruan, u vranë, u pushkatuan dhe një pjesë u dogjën të gjallë. 207 prej tyre ishin banorë të Krushës së Madhe, ndërsa 34 të tjerë ishin nga fshatrat fqinje. Mes viktimave ishin 7 fëmijë dhe 5 gra, të cilët u goditën rëndë nga krimi dhe barbaria e kryer atë natë.

Pas fushatës së tmerrshme dhe masakrës së Krushës së Madhe, shumë familje u shpërngulen, u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe u përballën me politikën e tokës së djegur dhe me një jetë të shkatërruar. Traumat e atyre ditëve të errëta mbeten ende të pashlyeshme për shumë nga banorët e Krushës së Madhe, të cilët u detyruan të shohin vdekjen dhe shkatërrimin përreth tyre.

Tragjedia e Krushës së Madhe duhet të mbahet gjithmonë në kujtesën tonë si pjesë e historisë tragjike të Kosovës dhe si dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë.

Pas fitores së NATO-së dhe UCK-së, qytetarët e Krushës pas shpërnguljes së dhunshme u rikthuan në vendin e vet dhe u përpoqën të ngrihen nga hiçi dhe të rimarrin frymë nga rrënojat e shkaktuara nga masakra e tmerrshme. Në kujtesën e popullit të Kosovës, emri i Krushës së Madhe do të mbetet një simbol i ngjarjeve të errëta të luftës, por edhe një dëshmi e forcës dhe rezistencës qytetare në zemrat e njerëzve.

****

Vetëm drejtësi nuk kishte: Nga Tribunali i Hagës në Krushë të Madhe u gjetën 2 krematoriume, 8 varreza masive si dhe shumë varreza personale. 793 shtëpi të djegura po ashtu edhe shumë dëme të tjera materiale dhe teknike. Shumë familje mbetën pa asnjë mashkull, 140 gra të veja dhe 548 fëmijë bonjakë.

Para hulumtuesve të Hagës, dëshmitar dhe të mbijetuar nga masakrat në Krushë të Madhe u intervistuan, iu morën dëshmit dhe u premtuan se kur fillon gjykimi i kasapit të Ballkanit, kriminelit të luftës Sllobodan Milloveshiqit, do të ftohen të dëshmojnë për barbarinë që kishte ndodhur në Krushë. Por kaluan vitet, filloi gjykimi dhe nuk u ftua asnjë dëshmitar të dëshmojë. Pse….?

Selami Elshani është njeriu që doli nga flakët e zjarrit, që policia serbe u kishte vënë të sapo pushkatuarve në një shtëpi Krushë të Madhe. Me 3 prill Selamiu arrin të largohet për në Shqipëri dhe nga spitali i Tiranës u bart nga dy hetues të Tribunalit të Hagës në spitalet e Zvicrës. Tribunali i Hagës e kishte ruajtur për disa muaj me qëllim që të dëshmojë kundër Slobodan Milosheviqit për krimet e luftës, por nuk është thirrur kurrë për të bërë dëshmi. Ai sot jeton në fshatin e tij të lindjes dhe jeton më të kaluarën e tij të dhimbshme, punon dhe mban familjen me pasojat që i vërehen në trup të cilat ia shkaktuan barbarët serbë. Edhe sot është i gatshëm të dëshmoj për atë që përjetoi gjatë luftës së vitit 1999.

Kush dhe kur do të vendos drejtësinë për Krushën e Madhe? A do të ketë ndonjë herë drejtësi për atë që ndodhi në Krushë? Drejtësia është më shumë se hakmarrje!

****

E tashmja: Tragjedia më e madhe e Krushës vazhdon edhe 25 vjet pas luftës, ajo është fati i të pagjeturve. Krushës i mungojnë dhe 64 persona, në mesin e tyre edhe intelektuali i përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare, Ukshin Hoti. Për familjet e personave të pagjetur, kjo është plagë e thellë që e mban ende të gjallë trishtimin e këtyre familjeve.

Pasiguria për një jetë normale pas një lufte të dhunshme mund të jetë shkatërruese, por krushjanët tregojnë se me durim, solidaritet dhe punë të palodhshme, është e mundur të ngrihen përsëri dhe të ndërtojnë një realitet të ri.

Me gjithë sfidat dhe vuajtjet e kaluara, krushjanët tregojnë se nga dhimbja dhe vuajtja është e mundur të lindë një shpresë më e madhe për një të ardhme më të mirë. Përpjekja dhe vullneti i tyre për të mos lejuar që të rrënohen nga humbja, por për tu ngritur përsëri me forcë dhe vendosmëri, tregon për karakterin e tyre të fortë.

Krushjanët janë të vyeshëm e punëtorë që ekzistencën e sigurojnë me djersën e tyre dhe pa i hyrë në hak askujt. Nga Krusha këto 25 vite kanë diplomuar me dhjetra mjekë, juristë, ekonomistë, diplomat, inxhinierë, sportist, artist etj. Toka bujqësore është shumë e plleshme. Këtu ka me dhjetra fermerë të suksesshëm dhe 4 fabrika për përpunimin e perimeve dhe turshive të cilat kanë pushtuar tregjet ndërkombëtare.

Nëpërmjet arritjeve të tyre në fusha të ndryshme, krushjanët tregojnë se asgjë nuk është e pamundur kur udhëhiqet nga forca e vullnetit dhe besimit në veten dhe në komunitetin e tyre. Duke shpresuar për një të ardhme më të mirë dhe duke punuar me durim dhe përkushtim për të arritur zhvillim dhe përparim, krushjanët bëhen një shembull frymëzues për të gjithë që ballafaqohen me sfida të ngjashme.

Prandaj, krushjanët janë një dëshmi e gjallë e fuqisë së njeriut për të përballuar sfidat dhe për të rindërtuar jetën pas tragjedisë. Trashëgimia e tyre do të mbahet gjallë për gjenerata të tëra, si një shembull frymëzues i guximit, rezistencës dhe shpresës në momentet më të errëta të historisë. Me përpjekjet e tyre të vazhdueshme dhe me vullnetin e tyre të pandalshëm për të përmirësuar veten dhe komunitetin e tyre, ata tregojnë se ndryshimi dhe zhvillimi janë të mundur kur njerëzit bashkëpunojnë për një qëllim të përbashkët.

Ky fshat dha gjak, pushkë, bukë e ndihmë për luftën çlirimtare edhe sot jeton dhe do të jetoj përgjithmonë me krenarinë e vet.

Në kujtesën tonë, dëshmorët dhe gjithë të rënët për lirinë e Kosovës janë yjet që ndriçojnë rrugën drejt paqes, të ardhmes dhe zhvillimit të vendit.

LAVDI E PËRJETSHME!

Të fundit nga rubrika