“Pas vështirësisë vjen lehtësimi”, lirohet nga spitali vajza që u lëndua nga rënia e kulmit

Elza Ujkani, 23 vjeçarja e cila ishte lënduar nga rënia e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës, tashmë është liruar nga spitali i Prishtinës ku po qëndronte që nga janari

Elza Ujkani, 23 vjeçarja e cila ishte lënduar nga rënia e kulmit të objektit të komunës së Prishtinës, ka reaguar për herë të parë në një postim në llogarinë e saj në Facebook, ku shpalosi pothuajse kronologjinë e procedurës së shërimit të saj.

Ujkani, fillimisht, përshkroi ditën e ngjarjes dhe ndjesitë për të cilat ajo tha se ndjente vetëm errësirë të pakuptueshme që e rrethonte.

“Sot po dal…18 janar e enjte. Po shkoja në punë si çdo ditë tjetër, dhe për një moment çuditërisht… një zhurmë që më ndali dëgjimin, një dritë që m’i mbylli sytë, një erë që e nuhata me të gjithe qënien time. Po mundohesha të qëndroja e vetëdijshme, ndërsa ndjeja një errësirë të pakuptueshme që më rrethonte. Ende nuk po e kuptoja se çfarë ka ndodhur! Nuk kisha frikë, vetëm prisja që errësira te largohej… Ndërkohë, pashë veten në duart e Fisnikut, të cilin nuk e njihja, vetëm se ai po mundohej me mundësitë e tij të ndalonte gjakderdhjen time. Pas pak… zhurma e ambulancës, ato rrotat e shtratit qe po më dërgonin në spital, me dukej se herë pas here po me zgjonin nga gjumi, nga i cili nuk po mund të zgjohesha. Aty, stafi i emergjencës pranë Klinikës Universitare bashkë me Dr.Dafina Basholli, po mundoheshin të kujdeseshin për mua. Nga këtu, prapë errësirë…”, shkroi ajo.

Ajo tregoi për gjendjen nëpër të cilën kishte kaluar gjatë kësaj periudhe dhe intervenimet e menjëhershme kirurgjike, për të cilat, ajo tha se ia shpëtuan jetën.

“Ndodhesha në gjendje kome. Ishte i nevojshëm nje intervenim kirurgjik i menjëhershëm në kokë për të shpëtuar jetën time. Situata ishte shumë e vështirë. Dr. Faik Qosja së bashku me asisteten e tij doktoreshen Arlinda Basha dhe me stafin e repartit te Neurokirurgjisë morën përgjegjësinë për të kryer intervenimin. Përkushtimi dhe profesionalizmi i tyre ishin burime shprese për mua dhe familjen time. Pas disa ditëve, une hapa sytë përsëri. Pamja e fytyrave të lodhura nga ankthi e pritja e familjarëve të mi më emocionoi shumë. U përpoqa të zgjohem dhe t’i perqafoja shumë, por ndjeva një vështirësi të papërballueshme për të lëvizur. Pas pak kohe, filluan të më tregonin se çfarë ka ndodhur, rrethanat dhe vështirësitë që kisha përballuar, dhe aty fillova të kuptoj se po më priste një rrugëtim i gjatë shërimi… Në ato momente, brenda meje, ndjeva një thirrje shprese dhe vendosmërie për t’u përballur me këtë sprovë e cila më kishte goditur”, shtoi më tej ajo.

Vështirësia, lodhja e presioni i madh mbi gjymtyrët e saj, nuk e mposhtën asnjëherë.

“Mboldha forcat, dhe bashkë me fizioterapeutin Dr. Deniz Sungur, filluam t’i kryenim ushtrimet e nevojshme. Edhe pse ishte shumë vështirë, lodhje dhe presion i madh mbi gjymtyrët e mia, ai shprehte gëzimin e tij për rezultatet qe po arrija dita ditës. Kjo përkrahje e vëmendje e tij, mua më jepte shpresë dhe motiv për të vazhduar përpara. Ditët janë shumë të ngadalshme në spital, vizitat e njerzëve të dashur më lëviznin emocionalisht nga një ekstrem në tjetrin. Ndonjëherë ma largonin atë hijen e mërzisë së dhomës së spitalit, duke më kujtuar bukurinë e jetës së jashtme, e ndonjëhere më bënin të ndjeja mungesën e lirisë dhe pavarsisë sime. Prania e tyre ishte një përkujdesje e ngrohtë në një kohë të vështirë të ftohtë për mua. Gjithçka ishte duke shkuar mirë, kur…  Papritur, mjekët kishin vërejtur përhapjen e një infeksioni në kokën time dhe se ishte nevoja edhe për një intervenim tjetër. Ky lajm për mua ishte tronditës, dhe mu duk se gjithë ato ditë dhe net të gjata me dhimbje do të ktheheshin prapë. Përsëri errësirë…”.

Ajo njoftoi se operimin për heqjen e infeksionit bashkë me një pjesë të kafkës e kreu përseri doktor Faiku, bashkë me stafin e tij të Neurokirurgjisë.

“Kur u zgjova, ai më njoftoi se gjithçka kishte shkuar mirë falë menaxhimit të suksesshëm të infeksionit. Pas këtij intervenimi, mendova se trupi ishte në atë nivel, ku e kisha lënë para se të mbyllja sytë për herë të dytë. Por… realiteti ishte krejtësisht i kundërt.  Filluan të më tradhëtonin këmbët dhe duart, duke më bërë të përjetoja ndjesi të frikës dhe pasigurisë. Ndjeva se po humbja prapë kontrollin mbi trupin tim, dhe kjo mungesë e forcës fizike po më bënte të ndihesha e zbrazët.  “Pas vështirësisë vjen lehtësimi… Me të vertetë, pas veshtirësisë vjen lehtësimi…” këto janë vargjet e Zotit në Kuran, që më kanë dhënë shpresë e forcë për ta vazhduar rrugëtimin. Në momentet e mjerimit dhe mungesës së shpresës, këto fjalë kanë qenë si një dritë që udhëzon drejt lehtësimit dhe që na rikujton se çdo sfidë ka një fund të mirë”.

“Në këto çaste, kuptova se jeta dhe shëndeti janë dhuratë nga Ai, më Bujari, për të provuar vërtetësinë e besimit. Duke u nisur nga këto, vendosa të përqendrohem te shërimi im. Pas operimit të dytë, mjekët konstatuan se une isha e rrezikuar nga sulmet e infeksioneve dhe më rekomanduan transferimin nga reparti i Neurokirurgjisë ne repartin e Infektologjisë. Aty doktor, doktoresha Albina Ponosheci, Vera Berisha-Ndrejaj dhe Shemsedin Dreshaj morën përgjegjësinë për kujdesin tim”.

“E hanë, 25 mars… Unë sot po dal… Fillimisht dua ta falënderoj Zotin, që në mesin e shumë njerëzve më zgjodhi mua për ta kaluar këtë rrugëtim, dhe për të më treguar se besimi në të vjen para çdo gjëje. Falenderoj prindërit e mi, motrat dhe vëllain tim, që gjatë gjithë kësaj kohe nuk më kthyen kurrë kurrë kokën, por qëndruan të përkushtuar dhe të fortë pranë meje. Ata ishin burimi im i ngrohtësisë, mbështetjes dhe dashurisë…”

Por, Ujkani pati edhe një mesazh për të gjitha institucionet.

“Për në fund, dëshiroj të ju bëjë thirrje të gjitha institucioneve që punët kur të kryhen, të kryhen në mënyrën më të mirë dhe të mos kursehet(vidhet) në mënyrë që të minimizohen fatkeqsitë si e imja”.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika