Teutë Rrusta nga Partia Socialdemokrate(PSD) ka thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje, por sipas saj, asnjëherë duke qenë pjesë e asaj që ajo e quan “agjenda e pushtetit”.
Në emisionin “Debat plus” në RTV Dukagjini, Rrusta thotë se procesi i kërkesës së ofertës për zgjedhje është më shumë një fushatë zgjedhore.
“Janë qeveria që e kanë përsërit faktin që ka me qenë legjislatura që do ta përfundojë mandatin. Krejt ky proces i kërkesës së ofertës për zgjedhje është më shumë një fushatë zgjedhore, ku këta po duan t’i kontrollojnë edhe pjesën e fundit të mandatit duke i shkaktuar vetë zgjedhjet, ne e dimë që kush i shkakton zgjedhjet, zakonisht është edhe fitues i tyre. Ne e dimë që janë në epërsi. Zgjedhje gjithsesi, por asnjëherë duke qenë pjesë e agjendës së pushtetit”, tha ajo.
Sipas saj, në tre vjet e gjysmë qeverisje, “opozita ka qenë pjesë e agjendës së pushtetit”.
Tutje, Rrusta theksoi se opozita duhet të jetë më e fuqishme dhe më e bashkuar për të krijuar një front.
“Të pranosh ofertën për zgjedhje i bie të jesh komplet pjesë e fjalimit të kryeministrit që po e bën për fushatën zgjedhore. Duhet të japë dorëheqje, por kjo qeveri nuk është se reflekton në këtë formë. Opozita duhet të jetë e fuqishme, të bashkohet dhe të krijojë një front për këtë punë. Ata po duan ta shpërfaqin mungesën e gatishmërisë së partive opozitare për të hyrë në zgjedhje, po bëhen kinse po bëjmë ofertë, po bëhen kinse po refuzojnë…”.