Drejtori i policisë, Gazmend Hoxha ka thënë se situata në veri të vendit vazhdon që të mbetet e brishtë, me mundësi tensionimi.
E gjithë kjo sipas tij, për shkak të grupeve kriminale të cilat veprojnë në veri të vendit.
“Situata e përgjithshme e sigurisë në Republikën e Kosovës bazuar në zhvillimet aktuale në vend, rajon dhe me gjerë vlerësohet të jetë e qetë. Në pjesën veriore të Kosovës edhe më tutje situata e sigurisë mbetet e brishtë. Me mundësi të tensionimit si rezultat i aktiviteteve, strukturave ilegale dhe grupeve kriminale dhe terroriste. Policia e Kosovës gjatë vitit 2023 është ballafaquar me një ambient kompleks të sigurisë marrë për bazë dinamikën e kërcënimet e sigurisë siç janë: incidentet kriminale, sulmet terroriste, protestat e dhunshme dhe kërcënimet hibride. Vlen të theksohen disa prej rasteve dhe incidenteve më të rënda gjatë vitit 2023 ”, ka deklaruar Hoxha gjatë raportimit sot në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Ndryshe, më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serbësh vrau rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në Banjskë të komunës së Zveçanit. Si pasojë e përleshjeve të mëtejme u neutralizuan edhe tre terroristë serbë.
Hoxha ka numëruar disa nga sfidat kryesore të Policisë së Kosovës gjatë vitit 2023.
“Sulmi me 26 maj 2023, ndaj Policisë së Kosovës dhe gazetarëve e qytetarëve. Sulmi me 29 maj ndaj Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të KFOR-it, qytetarëve dhe gazetarëve si dhe institucioneve. Kidnapimi i ttre zyrtarëve policor kufitar me 14 qershor., Sulmi terrorist në Banjskë ndaj Policisë së Kosovës me 24 shtator 2023. Përgjatë vitit 2023 Policia e Kosovës ka menaxhuar mbi 500 protesta në pjesën veriore të Kosovës. Rastet e shumta të kontrabandës dhe krimit transkufitar, rasti i grabitjes në Suharekë, rasti i vrasjes në Bërnicë, shkatërrimi i laboratorëve të drogës dhe prodhimit të kriptovalutave”, shtoi më tej Hoxha.
Megjithatë, Hoxha tha se policia e Kosovës përkundër sfidave, ka arritur të menaxhojë me sukses situatën e sigurisë në vend.
“Policia e Kosovës ka arritur me sukses të menaxhojë situatën e sigurisë dhe ka përmbushur misionin e saj duke garantuar rendin dhe sigurinë publike në gjithë territorin e Kosovës, luftën ndaj krimit të organizuar, sigurimin e kufijve duke krijuar një ambient të sigurt për qytetarët dhe pozicionet e vendit”.
“Policia e Kosovës rezultatet e potencuara i ka arritur falë bashkëpunimit me institucionet vendore të sigurisë si dhe me partner ndërkombëtar si Eulex dhe KFOR-i”, tha Hoxha.
Tutje, para anëtarëve të Komisionit për Siguri, Hoxha u shpreh se gjatë vitit të kaluar janë shënuar 96 raste të aksidenteve në trafikun rrugor me fatalitet.
Drejtori i Policisë deklaroi se në vitin 2023 janë paraqitur 1094 kallëzime penale dhe janë goditur 23 grupe kriminale.