Deputeti gjerman: Kosova i ka plotësuar kushtet për KiE

"Pra, Kosova është dukshëm më përpara në aspektin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit sesa disa shtete të tjera që tani janë anëtarë të Këshillit të Evropës. Në këtë aspekt, do të thoja se Kosova në thelb i plotëson këto kushte"

Deputeti në Parlamentin Gjerman (Bundestag), Frank Schwabe, është shprehur optimist sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).

Në prag të prezantimit të raportit faktmbledhës më 27 mars, Dora Bakojanis, raportuese e KiE për Kosovën, në Komisionin e Çështjeve Politike, deputeti gjerman ka thënë se Kosova i ka plotësuar kushtet për anëtarësim.

“Unë jam një nga ata që dëshirojnë që Kosova të bëhet anëtare tani, sepse nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me zgjedhjet në SHBA, si do të ndryshojë situata politike. Pra, Kosova është dukshëm më përpara në aspektin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit sesa disa shtete të tjera që tani janë anëtarë të Këshillit të Evropës. Në këtë aspekt, do të thoja se Kosova në thelb i plotëson këto kushte. Por me vendimin që do të marrim, do të ketë një listë të tërë, disa faqe, të obligimeve që Kosova duhet t’i përmbushë dhe t’i marrë”, ka thënë Schwabe, në një intervistë për “Deutsche Welle”-n.

Ai është shprehur optimist për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

“Unë po angazhohem që të ketë një shumicë prej dy të tretash, si në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, dhe besoj se do t’ia dalim. Kjo është detyra im e drejtpërdrejtë, sepse unë jam kryetar i delegacionit gjerman, por edhe i grupit më të madh parlamentar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Unë shpresoj që në më pas kjo shumicë prej dy të tretash të arrihet në nivelin e Komitetit të Ministrave të Jashtëm të 46 shteteve, që do të mblidhet në maj.

Por, konstatoj se ka shtete që duan ta kombinojnë të gjithë situatën me negociatat që po zhvillohen në nivel të BE-së dhe me SHBA-në dhe Serbinë. Unë jam nga ata që mendoj se duhet të shikojmë vetëm situatën në Kosovë. Dhe kushtet për anëtarësim tani janë plotësuar. Jam shumë i sigurt se do të arrijmë një shumicë prej dy të tretash në nivel parlamentar dhe shpresoj që këtë do ta marrim edhe në nivel qeverie”, ka shtuar Schwabe.

Deputeti gjerman ka komentuar edhe taktikat e Serbisë që po bën për të penguar anëtarësimin dhe kërcenin se do të tërhiqet nga KiE, nëse Kosova pranohet.

“E vetmja gjë që mund të them është se është në interesin e Serbisë që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Pse? Sepse nëse një shtet është anëtar i Këshillit të Evropës, aty automatikisht përfshihet mbrojtja e të drejtave të pakicave. Dhe nëse zoti Vuçiq sheh kërcënime në Kosovë, sigurisht që duhet të flasim për këtë, çfarë të drejtash kanë pakicat serbe në Kosovë? Atëherë, ai duhet të ketë shumë interes që ata të bëhen anëtarë të Këshillit të Evropës, sepse në një proces monitorimi çështja e pakicave kombëtare do të luajë menjëherë një rol të madh: Për shembull, në çështjen e zgjedhjeve. Ne do të vëzhgojmë zgjedhjet, duke përfshirë edhe nivelin lokal. Dhe besoj se në fund kjo është edhe në interes të Serbisë. Prandaj, ne të gjithë duhet të jemi në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, në mënyrë që të kemi mundësi të kemi ndikim atje”, ka theksuar Schwabe.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika