Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se në kuadër të Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve, 4 mijë mësues në të gjithë vendin do të trajnohen brenda këtij viti me metodat më efektive të mësimdhënies.
“MIRËMËNGJES dhe me fillimin e Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve, që ka nisur në Durrës, Tropojë, Korçë, Elbasan, e që do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, për të trajnuar mbi 4 mijë mësues në fazën e parë me metodat më efektive të mësimdhënies, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama.
Ditën e djeshme, Rama mori pjesë në konferencën kombëtare për arsim dhe formim profesional, e cila u mbajt në Tiranë, ku theksoi rëndësinë e përfshirjes së bizneseve private në këtë politikë që do të nxjerrë një numër më të lartë profesionistësh në fushat e domosdoshme.