Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka njoftuar të gjithë tatimpaguesit, të cilët kanë dhënë dhe japin sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, janë të obliguar që të dorëzojnë në ATK, Vërtetimin nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe dëshmitë, e pagesave në emër të sponzorizimit.
“Bazuar në Ligjin Nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, Ligjin Nr. 06/L-105 për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, Ligjin Nr. 05/L-090 për Sponsorizime në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe Rregulloren (MKRS) Nr. 01/2018 për përcaktimin e kritereve, procedurave dhe formës për vërtetimin e sponsorizimit në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, tatimpaguesi i cili jep sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit është i obliguar që të dëshmoj dhënien e sponsorizimit si kontribut për aktivitete me interes publik, përmes Vërtetimit nga MKRS dhe pagesës së sponsorizimeve, me qëllim që të përfitoj zbritje nga Tatimi në të Ardhurat e Korporatave”, ka njoftuar Administrata Tatimore e Kosovës.
Siç ka njoftuar ATK-ja, nëse sponsorizuesi ka statusin e personit juridik dhe dëshiron që të jep kontribute, gjegjësisht sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, atëherë ato kontribute duhet të llogariten sipas Ligjit Nr. 05/L-090 për Sponsorizime në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Tutje nga ATK-ja në postimin në Facebook kanë thënë se sponsorizimet pranohen vetëm nëse plotësohen kriteret e përcaktuara me Ligj dhe në rast se përfituesi ka dëshminë prej MKRS sipas nenit 4 dhe 16 të Ligjit Nr. 05/L -090 për sponsorizime në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe nenit 11 të Rregullores Nr.01/2018 për përcaktimin e kritereve, procedurave dhe formës për vërtetimin e sponsorizimit në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.
Gjithashtu ATK-ja u bënë thirrje të gjithë tatimpaguesve të cilët kanë shfrytëzuar zbritjen e Tatimit në të Ardhurat e Korporatave për vlerën e sponsorizimeve të dhëna dhe nuk posedojnë dokumentacionin në rregull ashtu siç kërkohet me Ligjin për Sponsorizime, të bëjnë korrigjimet e tyre në deklaratat tatimore për periudhën përkatëse, në të kundërtën ATK detyrohet që të ndërmarrë masat e përcaktuara me Ligj.