Sa është e rrezikuar Kosova nga tërmetet?

Kosova është një rajon me aktivitet sizmik relativisht të lartë, që është goditur në të kaluarën dhe mund të goditet edhe në të ardhmen nga tërmetet. Por cilat janë kapacitetet përgatitore të Kosovës përballë fatkeqësive të mundshme natyrore kanë folur ekspertët e emergjencave

Territoret e banuara me shqiptarë në Ballkan qysh nga antikiteti e deri në ditët e sotme, janë goditur nga një sërë tërmetesh të fuqishme, të cilat kanë rrafshuar shumë qytete e fshatra, por duke mos u mjaftuar vetëm me kaq, më e keqja duke marrë edhe shumë jetëra njerëzish.

Tërmeti është fenomen i cili shkaktohet nga çlirimi i papritur i energjisë së grumbulluar, i cili shkakton krijimin e valëve sizmike.

Javët e fundit herë pas here Kosova është lëkundur nga tërmete me magnitudë të ulët, tërmeti i fundit është regjistruar të martën e 25 marsit në fshatin Uglarë të Komunës së Gjilanit, me magnitudë 2.7 shkallë të Rihterit.

Tërmetet zakonisht shkaktojnë frikë dhe panik te njerëzit, pasi ato arrijnë pa paralajmërim.

Shqipëria veriperëndimore, më 26 nëntor 2019, ishte goditur nga një tërmet i fortë me magnitudë 6.4 shkallë, me një epiqendër 16 kilometra në perëndim-jugperëndim të Mamurrasit, në 03:54, ku humbën jetën 51 qytetarë që mbetën të bllokuar nën rrënojat e banesave dhe pallateve të shembura. Nga ky termet gjithashtu mbetën të lënduar mbi 3,000 qytetarë.

Sipas raportimeve, ky tërmet kishte prekur në mënyrë direkte dhe indirekte rreth 202 mijë persona. 11 qytete u prekën, duke përfshirë dy nga më të mëdhatë e më të populluarat si Tirana dhe Durrësi. Pasojat u ndjenë, gjithashtu, në bashkitë e Shijakut, Krujës, Kamzës, Kavajës, Kurbinit, Lezhës, Rrogozhinës dhe Mirditës.

Një tërmet i shkallës 7.7 e pati goditur juglindjen e Turqisë në mëngjesin e 6 shkurtit 2023, i përcjellë nga një tërmet tjetër 7.6 shkallësh, të njëjtën ditë. Më shumë se 53.000 njerëz vdiqën, sipas të dhënave qeveritare.

Edhe Greqia gjithashtu është një zonë e cila “shkundet’ shpesh nga tërmetet. Së fundmi dridhje kishte edhe në Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Serbi, BeH, Kroaci, por edhe në Kosovë.

Por, a është Kosova e rrezikuar nga tërmete të tilla dhe cilat janë zonat më të rrezikuara, për Portalin Dukagjini, ka treguar Shemsi Mustafa nga Instituti Sizmologjik i Kosovës.

Shemsi Mustafa, sizmolog në Institutin Sizmologjik të Kosovës

Drejtori i Institutit Sizmologjik të Kosovës, Shemsi Mustafa, ka thënë se Kosova gjeografikisht është në zonën e kontaktit së dy pllakave të mëdha tektonike, në njërën anë të Afrikës që shtyn Euro-Aziatiken dhe qëndron në themel të saj. Për këto arsye, vendet në zonën mesdhetare i përkasin vendeve me rrezik të lartë sizmik, duke përfshirë edhe zona përreth.

Mustafa ka thënë se rajoni i Dukagjinit është më i rrezikuar, kurse rajoni i Drenicës ka rrezik më të ulët.

“Zonat me rrezikun më të lartë sizmik në territorin e Kosovës janë: zona sizmogjene Pejë-Istog, ZS Ferizaj-Viti-Gjilan, ZS Kopavnik, ZS Prizren-Gjakovë, këto janë zona që përshkohen edhe me thyerjet aktive që mund të gjenerojnë në të ardhmen tërmete me magnitud maksimale 6.5 shkallë të richterit”, ka thënë ai.

Tutje, Mustafa ka thënë se “zonat me rrezik më të ulët, ZS Drenicë, ZS Prishtinë-Mitrovicë. Këto janë zonat që përshkohen edhe me thyerjet aktive që mund të gjenerojnë në të ardhmen tërmete me magnitud maksimale 6.0 shkallë të richterit” ka thënë Mustafa.

Gjithashtu për tërmetet dhe përgatitjet institucionale ka folur për Portalin Dukagjini edhe Tahir Ahmeti, njohës i emergjencave.

Tahir Ahmeti, ekspert i emergjencave

“Tërmetet dhe fatkeqësitë tjera natyrore janë të paparashikueshme. Ne nuk mund të parandalojmë mundësinë e ndodhjes së ndonjë tërmeti apo fatkeqësie tjetër natyrore, por duhet analizuar përgatitjet e institucioneve të Kosovës për t’u ballafaquar me këto fatkeqësi nëse ndodhin”, ka thënë Tahir Ahmeti.

Në këto raste, sipas Ahmetit, puna kryesore është reagimi i shpejtë dhe efektiv i njësive të kërkim-shpëtimit, në mënyrë që të mundë të shpëtohen sa më shumë jetëra, një reagim profesional dhe jo emocional, që nga ndërhyrjet operacionale e deri te riaftësimi.

FSK

Ahmeti: Kosova me kapacitete të limituara dhe pajise larg standardeve të kërkuara

Njohësi i emergjencave tutje është shprehur se sa i përket kapaciteteve të kërkim shpëtimit, ka thënë se janë mjaft të pakta, në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore, por edhe mjetet dhe pajisjet, sipas tij, janë larg standardeve të kërkuara.

“Kapacitetet e Kosovës për gatishmërinë e reagimit ndaj situatave emergjente duhet të zhvillohen dhe operacionalizohen”, ka shtuar tutje Ahmeti.

Ndërsa, për ndërtimin e objekteve që nga paslufta, Ahmeti ka thënë se këto ndërtime kanë ndodhur pa asnjë kriter apo vlerësim të sigurisë, duke rrezikuar kështu qëndrueshmërinë e objekteve. Duke i shtuar këtu edhe dyshimet e cilësisë së materialeve ndërtimore që janë përdorur për këto ndërtime, atëherë, sipas tij, ekziston mundësia që në rast të tërmetit me magnitudë më të madhe mund të rrezikohen, por mund të rrezikohet edhe jeta e shumë njerëzve.

Tërmeti më i fortë i regjistruar dhe i dokumentuar në Kosove është tërmeti i vitit 1921 në zonën Viti-Ferizaj-Gjilan, me një magnitud prej 6.1 shkallë Rihter dhe një intensitet prej 8.5 ballë Mercali.

Shija e redaktorit

KQZ-ja bëhet anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Trupave...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës është zgjedhur anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Trupave Zgjedhore Botërore (A-WEB) gjatë Asamblesë së Përgjithshme të...

“Forumi i Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit”, Osmani: Kosova ka dhënë...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur se Kosova mbetet një vend i angazhuar ndaj parimeve themelore të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit...

Ish-presidenti ​Moisiu: Bashkëpunimi mes ushtrisë së Shqipërisë dhe Kosovës, është...

Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një strategji të përbashkët të mbrojtjes, thotë ish-presidenti shqiptar, Alfred Moisiu. Moisiu thekson se dy vendet duhet të kenë...

Të fundit nga rubrika