Dita Botërore e Mjedisit shënohet çdo vit më 5 qershor. Qëllimi i kësaj dite ishte për të tërhequr vëmendjen politike ndaj çështjeve të mjedisit si dhe për të shtuar ndërgjegjësimin rreth rëndësisë së nënës natyrë.
5 qershor 1972, u zgjodh kjo datë sepse përkon me ditën e hapjes së Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Mjedisin, që u mbajt në vitin 1972 në Stokholm, nën udhëheqjen e Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara.
Kjo ishte konferenca e parë në botë që e bëri çështjen e mjedisit, një çështje madhore.
Dita Botërore e Mjedisit u shënua për herë të parë në vitin 1974.
Kjo ditë ka krijuar një platformë për të rritur ndërgjegjësimin se, bota po përballet me probleme të tilla si ndotja e ajrit, ngrohja globale dhe rritja e nivelit të detit dita-ditës.
Në të kaluarën temat e kësaj ngjarjeje kanë qenë kujdesi për tokën dhe ujin, mbrojtja e shtresës së ozonit, ndryshimet klimatike dhe zhvillimi i qëndrueshëm duke pasur gjithnjë në fokus ruajtjen e shëndetit human.
Inciativat e vogla nga njerëzit, por që mund të kenë një ndikim të madh në ruajtjen e mjedisit janë:
- Të ndalohet përdorimi i plastikës në baza ditore
- Njeriu duhet të mbjellë një pemë në vit
- Të mos hedhen mbeturina në lumë dhe det
- Të reciklohen mbeturinat
- Të kursehet uji sa më shumë që është e mundur
- Sipërfaqja pyjore duhet të rritet duke reduktuar përdorimin e drurit dhe të pemëve.
Ndryshe, të dielën, në Kosovë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkëorganizim me FSK-në dhe OJQ, në nder të kësaj dite organizojnë aktivitete pastrimi, në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë.