Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna.
Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e komunave, kanë nënshkruar marrëveshjet në kuadër të Grantit të Performancës Komunale.
“Në kuadër të këtij bashkëfinancimi janë paraparë projekte për rregullimin e shtratit të lumenjve, pastrimin e shtratit të lumit, ndërtimin e fushave sportive, rregullimin e ndriçimit publik dhe projekte të tjera të cilat kanë për qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët dhe rritjen e zhvillimit ekonomik lokal” ka shkruar në Facebook Krasniqi.
Komunat përfituese janë Rahoveci, Obiliqi, Skenderaj, Suhareka, Kaçaniku, Shtimja, Malisheva, Dragashi, Ranillugu, Parteshi dhe Peja.
“Projektet në komunat përfituese janë bashkëfinancim i MAPL-së, donatorëve dhe komunave në vlerë mbi 8 milionë euro”, ka shkruar tutje Krasniqi.