Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, i është kundërpërgjigjur deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Adnan Rrustemi, i cili tha se “në Qeverinë Kurti nuk ka korrupsion, por përgjegjësi e transparencë”, duke i thënë se “kryeshefi që e kishte emëruar qeveria në KEK ishte arrestuar për shkak të tenderëve njëburimorë”.
Në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës ku po diskutohet për kontratat njëburimore, Mustafa i është drejtuar Rrustemit duke i thënë “Keni harruar që kryeshefi i KEK-ut që e keni emëruar ju është arrestuar për shkak të tenderëve njëburimorë, u mundove të thuash se Qeveria Kurti është e pakorruptuar. Mos na tregoni përralla, aman ju koftë”.
Ndërkaq, më herët, Adnan Rrustemi nga radhët e VV-së ka thënë se në Qeverinë Kurti nuk ka ministra të korruptuar e nuk ka korrupsion, duke e quajtur opozitën ekspertë të tenderëve njëburimorë.
Rrustemi ka shtuar se përgjegjësia e transparenca do të vazhdojnë deri në realizimin e zotimeve të qeverisë.
“Në qeverinë Kurti nuk ka ministra të korruptuar e nuk ka korrupsion. Në Qeverinë Kurti ka përgjegjësi e transparencë, e kështu do të vazhdohet deri në realizimin e zotimeve tona. Ju jeni ekspertë të tenderëve njëburimorë”, ka deklaruar Rrustemi.