Petkoviq: Anëtarësimi eventual i Kosovës në KiE, gjest armiqësor karshi Serbisë

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte një “gjest armiqësor” karshi Serbisë

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte një “gjest armiqësor” karshi Serbisë, duke shtuar se Beogradi nuk do të ndalet së kundërshtuari këtë gjë “hapur, politikisht dhe në mënyrë procedurale”.

Përmes një njoftimi më 28 mars, Petkoviq tha se “ka një dëshirë për nxitim” për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës, për shkak të, siç tha ai, “disa interesave gjeostrategjike që kanë pak të bëjnë qoftë me Beogradin apo Prishtinën”.

“Por, ata që vendosin për këtë le të mendojnë me kujdes nëse anëtarësimi eventual i Prishtinës në Këshillin e Evropës do të kontribuojë për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim në kontinentin tonë, apo nëse do të kishte efektin e kundërt”, tha Petkoviq.

Ai shtoi se Serbia i bën thirrje partnerëve të saj në Këshillin e Evropës “të kenë parasysh se një rezultat i tillë do të ishte precedent që do të shkatërronte vetë parimet fundamentale të kësaj organizate” kur vendosin që të përfshijnë edhe Kosovën.

“Do të ishte qartësisht një gjest armiqësor karshi Serbisë, e cila deri më tani ka qenë anëtare aktive dhe e përkushtuar e kësaj organizate ndërkombëtare”, u tha në njoftim.

Më 27 mars, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku u rekomandua që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Raporti u miratua me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim.

Zyrtarët e tjerë të Serbisë, shtetit që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe kundërshton anëtarësimin e shtetit në organizatat ndërkombëtare, e kanë kritikuar vendimin e Komitetit.

Më 22 mars, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte njoftuar për mundësinë e tërheqjes së Serbisë nga Këshilli i Evropës nëse në këtë organizatë do të pranohej Kosova.

Ideja e Vuçiqit është përkrahur nga ish-kryeministrja, tani kryetarja e Parlamentit serb, Ana Bërnabiq.

Kosova ka aplikuar në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Anëtarësimi i Prishtinës është riaktualizuar në javët e fundit, pasi me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim.

Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut.

Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut – me seli në Strasburg, Francë – bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut./REL

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika