Gjykata e Korçës i ka lënë të lirë katër të rinjtë që dhunuan me mjete të forta një 30-vjeçar pas një konflikti për motive banale. Ky vendim erdhi pasi Prokuroria e Korçës ka ndryshuar kualifikimin ligjor të veprës penale si plagosje e lehtë me dashje.
Gjykata e Korçës gjatë seancës së zhvilluar paraditen e së enjtes caktoi masën e sigurisë detyrim paraqitje për Spartak Selimin, Kristi Selimin, Marsel Xhakollarin dhe Erjon Gurrën, të cilët një javë më parë dhunuan me mjete të forta 30-vjeçarin Ramadan Hasani.
Veprimet e dhunshme të grupit të të rinjve ndaj 30-vjeçarit Hasani u klasifikuan fillimisht nga Policia e Korçës si vrasje me dashje e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, ka raportuar KlanTV.
Por, ka qenë Prokuroria e Korçës, ajo që ndryshoi kualifikimin ligjor të veprës penale në plagosje të lehtë me dashje. Nga ky ndryshim i veprës penale ua siguroi të rinjve lirinë.