Të paktën 36 anëtarë të forcave qeveritare siriane janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite në provincën veriore të Alepos, ka njoftuar të premten një monitorues i luftës.
Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut ka thënë se sulmet ajrore izraelite, që ndodhën në orët e para të së premtes, shënjestruar një depo armësh që i përkiste grupit militant libanez, Hezbollah – që mbështetet nga Irani – në zonën Xhibrin, në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Alepos.
Ky grup monitorues ka dokumentuar dhunën në Siri që nga viti 2011.
Kreu i Vëzhguesit sirian, Rami Abdel Rahman, ka thënë se bombardimet izraelite po ashtu shënjestruan disa fabrika në al-Safira, dhe shpërthime janë dëgjuar edhe në perëndim të Alepos.
Ai ka thënë se shpërthime po ndodhin ende në Siri, duke shtuar se numri i viktimave pritet të rritet pasi shumë nga të plagosurit kanë pësuar lëndime serioze.
“Numri i viktimave në mesin e trupave qeveritare siriane është më i larti, krahasuar me sulmet e mëhershme izraelite që kanë shënjestruar zonat siriane”, ka thënë Vëzhguesi, raporton REL.
Izraeli ka kryer rreth 26 sulme në Siri që nga nisja e vitit 2024, tha grupi.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Siri, SANA, duke cituar burime në ushtri, tha se sulmi ka lënë të vrarë dhe të plagosur civilë si dhe personel ushtarak.
Ushtria izraelite nuk ka komentuar për këto sulme.
Po ashtu, të enjten mbrëma, milicitë proiraniane u sulmuan nga Izraeli afër Damaskut, ku u vra një person dheu plagosën pesë të tjerë, tha grupi monitorues. Ky sulm goditi selinë e Hezbollaht në al-Bahdalia.
SANA, duke u thirrur në burime ushtarake, tha se Izraeli kreu sulme nga drejtori i Lartësive të pushtuara të Golanit, duke shënjestuar ndërtesa në periferi të Damaskut.
Izraeli ka bombarduar caqe në Siri me qëllim që të godasë forcat iraniane që gjenden atje. Izraeli synon që të parandalojnë Iranin dhe milicitë e tij aleate që të zgjerojnë ndikimin e tyre ushtarak në Siri.
Sulmet izraelite në Siri janë intensifikuar qëkur ka nisur lufta në Gazë më 7 tetor mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.