Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i ka kujtuar të rënët në masakrën në Beleg e Irzniq të Deçanit dhe Poterq të Klinës.
“Shumë breza sakrifikuan për liri e çlirim, për fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo liri e fituar me shumë dhembje e humbje do të jetë e plotë atëherë kur atdheu është i sigurt”, ka shkruar Haradinaj.
Kreu i AAK-së ka thënë se Kosova në rresht me ushtritë e tjera të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është dhurata më e mirë për brezin e sotëm dhe ata që vijnë, e po ashtu është nderimi më i madh që mund të bëjmë për të rënët.
Haradinaj ka thënë se po në të njëjtën ditë kur këto masakra kishin ndodhur, kishte marrë lajmin për rënien e 14 bashkëluftëtarëve të tij në një përballje heroike me pushtuesin në Shishman të Bokës.
“Djem të zotë, luftëtarë të dalluar, një pjesë të të cilëve i njoha në frontet e luftës. Lavdi e përjetshme atyre që me gjak e shkruan historinë tonë”, ka thënë i pari i partisë opozitare.