Republika e Kosovës dhe Mali i Zi kanë nënshkruar të premten marrëveshjen dypalëshe për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III për vitet 2021-2027.
Marrëveshja është nënshkruar nga zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq.
Zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se nga kjo marrëveshje, Kosova dhe Mali i Zi përfitojnë 8.4 milionë euro.
“Ky bashkëpunim do të avancohet dukshëm duke u kujdesur për zbatim të plotë të marrëveshjes. Marrëveshja i mundëson Kosovës dhe Malit të Zi të përfitojnë 8.4 milionë euro. Qëllimi është promovimi i fqinjësisë së mirë, zhvillimi social dhe ekonomik… Është planifikuar themelim i një task-force të përbashkët, që do të mbikëqyrë zbatimin e programit. Kjo marrëveshje i kontribuon bashkëpunimit të mirë mes dy vendeve”, ka deklaruar ai.
Ndryshe, më 27 mars, me 31 vota pro, katër kundër dhe një abstenim, është miratuar opinioni i raportueses Dora Bakoyannis në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Këshillit të Evropës.
Përveç Serbisë, ashtu siç ishte paralajmëruar, edhe përfaqësuesja e Malit të Zi ka votuar kundër Kosovës.
Ndërsa, ministrja Gorçeviq, mes tjerash, ka konfirmuar se Mali i Zi nuk është kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).
Ajo ka theksuar se Mali i Zi, në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Ministror në maj, do të votojë pro Kosovës që të anëtarësohet në KiE.