Brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore, njësi të hetimeve janë duke kryer disa verifikime në disa frigoriferë, kontrollet lidhen me rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit.
KALLXO.com mëson nga burime të saj se janë duke u kontrolluar disa frigoriferë në të cilët mbahen mostrat e përgatitura për zhdukje.
Ekipi gjatë ditës ka qëndruar në hapësirat e jashtme të Institutit të Mjekësisë Ligjore ndonëse nuk janë lejuar që të futen brenda rrethojave.
Një zyrtar policor që qëndronte për të kontrolluar hyrje-daljet konfirmoi se brenda IML-së ka zyrtarë policorë.
I pyetur nga ekipi i KALLXO.com në lidhje me prezencën e policëve brenda IML, ai ka konfirmuar se ka hetues brenda dhe të tillë janë parë edhe gjatë ditës, por që nuk specifikoi saktë se për cilin rast janë.
Ai shkurt tha se hetuesit vijnë për raste të ndryshme dhe se nuk kanë të drejtë t’i pyesin në lidhje me rastet.
Në anën tjetër KALLXO.com ka tentuar të kontaktoj edhe me drejtorin e IML, Ditor Halitin por gjatë gjithë ditës ka qenë i paçasshëm përmes telefonit.
Nga IML është thënë se Haliti është i angazhuar me punë dhe se gjendet jashtë objektit të institutit.
Nga burime të KALLXO.com mësohet se hetuesit janë brenda ende tash e disa orë.
Kujtojmë se në vitin 2022, kryeprokurori Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, kishte konfirmuar se kishin pranuar informacione për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe kanë filluar hetimet lidhur me rastin.
‘’Kemi pranuar raportin informues dhe kemi filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore dhe brenda një afati të arsyeshëm besoj do të dalim me gjetje” – kishte thënë Isufaj për KALLXO.com më 08.12.2022.
Në të njëjtën datë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mbajtur konferencë dhe deklaroi se janë zhdukur provat për rastin e vdekjes e Astrit Deharit.
“Duke pasur parasysh ndjeshmërinë rastit, mbrëmë (07.12.2022) në orët e vona jam njoftuar që janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit, nga laboratori, kam njoftuar ushtruesin e kryeprokurorit Besim Kelmendi. Në rasat e epruveta kanë qenë 15 epruveta me gjak, një e urinës dhe një epruvetë e lukthit”- kishte thënë Haxhiu më 08.12.2022.
Haxhiu kishte shtuar edhe se në hapësirën në të cilën ruhen mostrat kanë pasur qasje vetëm tre persona.
“Ky akt është vërejtur dje gjatë bartjes së mostrave nga frigoriferët e vjetër në frigoriferët e rinj, por jam e bindur se ka qenë çështje kohe që ata që e kanë orkestruar do ta plasonin si një veprim dëmtues të procesit në tërësi”- pati thënë ministrja.
Haxhiu pati theksuar se menjëherë do të ndërmerren masa për këtë rast “Siguria në IML ende nuk është në nivelin e duhur, kemi dërguar edhe më herët raste në prokurori, tani kanë kaluar çdo kufi. Kushdo që ka guxuar ta bëjë këtë veprim mizor do të përballet me ligjin. Falënderoj u.d. kryeprokurorin për faktin se menjëherë ka marrë masa. I bëjë thirrje stafit ligjor të bashkëpunojnë me policinë për çdo informacion që kanë”, ishte deklaruar ajo.
Më 08.02.2024 KALLXO.com kishte raportuar edhe se Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit, nuk është themeluar në Kuvend në mungesë të kuorumit.
Kryetari Glauk Konjufca kishte thënë se në votim morën pjesë vetëm 30 deputetë ndërsa një pjesë prej tyre nuk votuan.
Në mungesë të kuorumit, edhe më datë 15.02.2024 ishte shtyrë themelimi i këtij komisioni.