Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se shfaqja teatrale “Kopshti i hijeve” nga Sarah Hehir, me regji të Nastazja Domaradzka të enjten e 28 marsit solli rrëfimin e masakrës së familjes Bogujevci në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Ai thotë se kjo shfaqje teatrale ka sjellur rrëfimin e masakrës së familjes Bogujevci, masakër kjo nga e cila mbijetuan pesë fëmijë, si Saranda, Fatosi, Jehona, Liria dhe Genci.
“Pastaj, kopshtin e mbuluan hijet. Dita u bë 2000 orë. Të shtëna. Tanke. Sirena. U kthyem pas në 28 marsin e vitit 1999, në kopshtin e familjes Bogujevci. Kënga e vallja e fëmijëve u ndal. I rreshtuan te muri. “Ata janë veҫ fëmijë!” ishin fjalët e fundit të Nënës. “Shkorpionët” e Serbisë hapën zjarr. Qëlluan me plumba. Pesë nga fëmijët mbijetuan, përkundër 32 plumbave që shpuan trupat e tyre. Saranda, Fatosi, Jehona, Liria dhe Genci.
“, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ndonëse narracioni ishte teatral, Kurti tha se historia ishte e vërtetë ndërsa personazhet ishin aktorë, por emrat ishin të vërtetë duke shtuar se disa role i kishin në skenë, e personazhin e vërtetë në audiencë.
“Kopshti është ende aty. Skena ishte teatrale, por rrëfimet e përjetimet reale. Ashtu do të mbeten përherë në kujtesën tonë. Siç thanë personazhet, asgjë kurrë nuk mundet me u humb e as me u harru”, ka vijuar Kurti.