Universiteti “Ukshin Hoti” ishte njëra nga shtëpitë e Gynesh Veshall gjatë viteve të studimit.
Është ndër vajzat e komunitetit rom që anën akademike nuk e ka lënë anash, të cilën përgjatë viteve, e kanë shoqëruar momente mos barazie e diskriminimi.
E të njëjtat, ajo thotë se vazhdojnë të jenë akoma evidente.
“Ndonjëherë jemi të etiketun shumë negativisht për shkak se kështu si po dukem, edhe vajzat nga komuniteti rom munden me qenë të bardha, munden me qenë të veshura mire e të flasin shqip rrjedhshëm ashtu siç po flas edhe unë. Ne jemi këta, nuk jemi siç po na diskriminojnë ose po na paragjykojnë”, ka deklaruar Gynesh Veshall, Studente nga komuniteti rom
Gjersa thekson se nuk ka hezituar t’u përgjigjet padrejtësive, një mesazh ajo e ka dhënë edhe për pasardhëset nga komuniteti i saj.
“Kisha dashtë me ju thanë se duhemi me punu ende, edhe pak për me mbërri edhe me ju tregu krejtve që na nuk jemi qashtu qysh po flasin për neve”, ka vijuar Veshall.
Ky hall që Veshall e ndan me shumë të tjerë iu adresua edhe kryeministrit, Albin Kurti, i cili vizitoi universitetin të premten.
Shefi i Qeverisë tha se angazhimi për ta ka qenë evident gjatë mandatit të tij.
“Ne si qeveri kemi shprehur dëshirat tona për sukses të studentëve prej çdo komuniteti por edhe e kemi dëshmuar angazhimin tone në detaje praktike për të arritur këtë qëllim konkretisht. Ne besojmë se për të pasur studentë të suksesshëm nga komunitetet në universitete, duhet të fillojmë nga klasa e parë. Andaj kemi investuar në shkolla me 200 mijë euro vitin e kaluar dhe të njëjtën shumë edhe në vitin 2022”, ka deklaruar kryeministri, Albin Kurti.
Takimi mbi një orësh me studentët qe i mbyllur për media. Nga studentët, televizionit iu tha se Kurti premtoi angazhim të shtuar për realizimin e kërkesave të tyre.