Nga 1 shtatori, Miroslav Lajçak mund të mos jetë më pjesë e procesit të dialogut Kosovë-Serbi.
I dërguari i posaçëm Bashkimit Evropian, sipas Radio Evropës së Lirë, pritet të bëhet ambasador i BE-së në Zvicër.
Megjithatë ende nuk dihet se kush do ta zëvendësojë Lajçakun.
Diplomati sllovak këtë post e kishte pranuar para katër vitesh, ndërkaq mandati zyrtarisht i përfundon në fund të gushtit.
Sipas këtij raportimi, për postin e përfaqësuesit të posaçëm për dialogun do të vendoset pas rotacionit të një numri të madh të ambasadorëve të BE-së nëpër botë.
Këtë lajm nuk ka pranuar ta komentojë zëdhënës i BE-së, përpos që ka shpjeguar procedurat e emërimit.
“Si rregull i përgjithshëm, ne nuk përfshihemi në thashetheme dhe nuk komentojmë spekulimet në media për personelin e BE-së. Kur bëhet fjalë për emërimin e ambasadorëve të BE-së, ka parametra shumë të qartë: Procesi që çon në emërimin e një Ambasadori është i brendshëm dhe jo publik – në përputhje me praktikën ekzistuese diplomatike”, ka thënë Peter Stano.
Në Prishtinë ka vlerësime se puna e emisarit Lajçak ka qenë e pasuksesshme.
“Marrëveshjet e dakorduar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk kanë gjetur zbatim, dhe përgjatë kësaj kohe kanë ndodhur një sulm terrorist në veri të Kosovës, që i bie se z. Lajçak ka dështuar në punën e tij dhe në përgjegjësinë e tij”, ka thënë politologu, Fidan Ukaj.
Ukaj thotë se ri-zgjedhja eventuale e Lajçakut do të ishte vendim i gabuar, pasi që, sipas tij, nevojitet një përfaqësues i ndonjë shteti që e njeh Kosovën, dhe një emisar që është riformatoj dialogun, e sidomos planin e sekuencimit.
Largimi i Lajçakut nuk është e vetmja risi. Sipas raportimit të REL-it, ambasadori aktual i BE-së në Estoni, Aivo Orav, është zgjedhur që të jetë shefi i ri i Zyrës së bllokut evropian në Kosovë, në vend të Tomas Szunyog.