Policia e Kosovës në mbrëmjen e së premtes ka arrestuar një person, shtetas i Maqedonisë së Veriut nën dyshimin se ka tentuar të fusë në Kosovë 96 mijë dollarë amerikanë të falsifikuara.
Paraprakisht policia kishte informata konkrete se i dyshuari, I.D është duke futur në Kosovë para të falsifikuara teksa është zënë në flagrancë nga hetuesit policorë në Han të Elezit.
I njëjti 100 $ dollarë të falsifikuara, i shiste për 40 euro.
“Pas një pune operative-hetimore, rreth orës 23:00 (29.03.2024) është zhvilluar një operacion policor në Han të Elezit. Paraprakisht ishin siguruar informata konkrete se personi i dyshuar I. D., (viti i lindjes 1970, shtetas i Maqedonisë së Veriut), është duke futur në Kosovë para të falsifikuara, konkretisht dollar amerikan. I dyshuari është arrestuar në flagrancë nga hetuesit policor gjatë tentimit të tij për të vënë në qarkullim një sasi të madhe të dollarëve amerikan që dyshohet se janë të falsifikuara. I dyshuari 100 $ dollarë të falsifikuara, i shiste për 40 euro”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë realizimit të operacionit policor, janë konfiskuar: 960 copë kartëmonedha nga 100 dollarë, në total 96 mijë dollarë amerikan, një automjet i përdorur në rast nga i dyshuari dhe një telefon celular.
Të gjitha veprimet hetimore janë ndërmarrë në koordinim me prokurorin nga Prokuroria Speciale e Kosovës teksa i dyshuari është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Me aktvendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë.