Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq dëshiron të kandidojë për postin e fuqishëm të kryeministrit në zgjedhjet e ardhshme, pa dhënë dorëheqjen më parë si president.
Gjykata Kushtetuese i ka hedhur poshtë planet e tij, por gjithsesi ai po ecën përpara.
Llogaritjet e Zoran Milanoviq duket se kanë dhënë rezultat. Kur bëhet fjalë për politikën tani, vështirë se dikush në Kroaci po flet për ndonjë gjë tjetër.
Në fillim të këtij muaji, presidenti Milanoviq bëri thirrje për zgjedhje parlamentare më 17 prill, një e mërkurë, e pazakontë për Kroacinë.
Më pas, ai njoftoi se ai vetë do të kandidojë për postin e kryeministrit për Partinë Socialdemokrate (SDP), pa dhënë më parë dorëheqjen si president.
Edhe pse Gjykata Kushtetuese e ndaloi atë të kandidonte menjëherë më pas, presidenti nuk është penguar. SDP, partia e tij nuk e ka paraqitur zyrtarisht atë si kandidat, por Milanoviq ka thënë se nëse fiton ai do të zgjidhet kryeministër.
Kandidatura e tij nuk është e vetmja gjë që ka bërë bujë. Që nga vendimi i tij për të kandiduar për kryeministër, Milanoviç është sulmuar me retorikë të ashpër, duke shkaktuar rritje të zemërimit në qarqet politike.
Kur gjyqtarët kushtetues shpallën vendimin e tyre kundër kandidaturës së tij, ai i quajti ata “fshatarë analfabetë” dhe “miza të bezdisshme stalle”. Madje ai i akuzoi se ishin pjesë e një “grupi gangster”.
Milanoviq përdori një gjuhë të ngjashme të ashpër për t’iu drejtuar kryeministrit Andrej Plenkoviç dhe Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) të tij konservatore. Duke folur me mediat, ai tha se ata ishin “figura boshe pa besim apo botëkuptim”, të cilët ishin “të uritur për pushtet dhe lakmitarë”.
Duke folur më në përgjithësi, ai tha se vendi ishte nën kontrollin e “hajdutëve” me “mentalitetin e shushunjave të bagëtive” të cilët vepronin si “rrodhe dhe parazitë” që ushqeheshin nga “indet e shëndetshme të kombit kroat”. Ai premtoi se “lumenj të drejtësisë” do të rrjedhin sapo të zgjidhet kryeministër./DW.