“As 17 vjet s’i paska pas”
Ky është konstatimi i kryeministrit, Albin Kurti pasi dëgjon historinë tragjike të Sefullah Muliqit, njërit ndër 23 personat e vrarë nga forcat serbe në Abri të Epërme të Drenasit.
Prindërit e të ndjerit nuk kishin shprehur vullnet të pranonin dëshirën e tij për të veshur uniformën të UÇK-së.
E për t’u mbrojtur, Sefullahu kishte vendosur të shiste lopën e po atë natë, të nisej drejt fshatit Qirez për të blerë armën.
Por, rrugës për tu kthyer në shtëpi, kishte rënë në pritën e ushtarëve serbë.
Përpos Sefullahut, forcat serbe kishin vrarë edhe katër fëmijë të tjerë para 25 vjetësh.
I prekur nga historia, Kurti pasi bëri homazhe, përsëriti edhe një herë tjetër kërkesën për Prokurorinë.
“E lus prokurorinë e shtetit që me krejt çka kanë e dinë, të angazhohen maksimalisht ditë e natë që ata vrasës për të cilët ka edhe dëshmitar të gjallë të ndiqen, të akuzohen e dënohen sepse pa drejtësi, me vetëm të vërteten, plagët vazhdojnë të jenë të hapura e të kullojnë”, ka deklaruar Kurti.
Padia kundër Serbisë për gjenocid në Kosovë kishte qenë njëra prej premtimeve të Kurtit. E sipas tij, angazhimi për ta bërë atë realitet po vazhdon.
“Edhe Ministria e Drejtësisë edhe këshilltarë e mi ligjorë, me ekspertë ndërkombëtarë janë duke i bërë të gjitha përgatitjet që të akuzohet Serbia si shtet përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë e që janë krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocide. Këto janë çështje që zhvillohen së brendshmi dhe në kohën e duhur, jepen njoftimet e nevojshme”, ka deklaruar Kurti.
Për vrasjen e 23 të vrarëve nga forcat serbe në masakrën më 26 shtator 1998 dhe as për vrasjet në Abri të Epërme më 30 mars 1999, nuk ka asnjë të akuzuar e as të dënuar.