Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti flet vetëm në emër të tij dhe jo në emër të Kosovës.
Nëpëmjet një postimi në Facebook, ai ka thënë se ka kohë që kryeministri nuk përfaqëson qëndrimin e popullit.
Kurti, në një intervistë për emisionin “Public Square”, ka shprehur qartë se SHBA-ja duhet të kuptojë se ai nuk do ta shohë Serbinë me sytë e saj.
Kurti: SHBA-ja s’duhet të presë që unë ta shohë Serbinë me sytë e saj
Por, Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj Kurtit, duke e quajtur edhe të mjerë.
Ai e ka konsideruar Kurtin pas kësaj deklarate si “smirëzi” teksa ka shtuar se kryeministri duhet të jetë në dijeni se sytë e Amerikës kanë qenë ata që kanë ndihmuar Kosovën në momente të vështira.
“Albin Kurti flet në emër të vetin e jo të Kosovës. Ai ka kohë që nuk e përfaqëson qëndrimin e këtij populli. Duhet të jesh shumë smirëzi të thuash “mos të presë Amerika që unë ta shoh Serbinë me sytë e saj”! Sytë e Amerikës kanë qenë pilotët e saj që e kanë shpëtuar një popull nga zhdukja, o i mjerë!”, ka shkruar kreu i AAK-së Haradinaj në Facebook.