Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj, ka njoftuar se do t’i bashkohet protestës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kështu ka barë të ditur Molliqaj, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ku ka theksuar se të hënën kjo parti do t’i bashkangjitet protestës së veteranëve.
E njëjta do të zhvillohet rreth kundërshtimit të Projektligjit për plotësim-ndryshimin e ligjeve që përcaktojnë përfitimin në rritjen e pagës minimale, ku lajmërohet se nuk janë parashikuar edhe kategoria e veteranëve të luftës.
“Nesër do të protestoj. Bashkë me veteranët e UÇK-së që shteti i braktisi. Bashkë me ata që na e sollën lirinë e përpjekjen e të cilëve qeveria po e dënon. Bashkë me ata, të vetmit që shteti nuk i ndihmoi fare gjatë krizave t’kësaj kohe”, ka shkruar ai.
Molliqaj nuk la pa akuzuar qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, për të cilin potencoi se “nuk i do veteranët e luftës”.
“Dha para me miliona për biznese të mëdha, kurse veteranët do t’i lë edhe nën pagën minimale. Sepse nuk i do. Sepse kurrë s’e deshti luftën e tyre. Prandaj i sulmoi vazhdimisht. Ani pse vetë është veteran i rrejshëm”.
Molliqaj, luftën e veteranëve e ka quajtur si “projekti i lirisë, i barazisë dhe i progresit”.
“Nesër do të jemi në shesh, bashkë me ata që jetën e tyre e lanë peng për lirinë tonë. Dhe do të jemi bashkë me ta, përherë”, shtoi ai.
Ndryshe, ushtruesi i detyrës së kryetarit OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, në një konferencë për media kishte lajmëruar për problemet e mëdha me të cilat përballen veteranët e luftës, përkatësisht rreth pensionit të veteranëve.
“Do të protestojmë të hënën në orën 10:00 dhe do të fillojmë të grumbullohemi për ta kundërshtuar ndryshimin për ligjin që është duke e bërë Kuvendi i Kosovës. Ata po bëjnë lojëra me popullin. Ai ligj nuk është në fuqi dhe ai ligj do të hyjë në fuqi kur të kryhet kategorizimi”, ka thënë Klinaku.
Ndryshe, pos PSD-së, protestës së OVL-UÇK-së do t’i bashkohet edhe Lëvizja për Bashkim.