Një minë e vjetër tokësore, e gjetur nga fëmijët në Afganistanin lindor, shpërtheu derisa ata po luanin me të, duke vrarë nëntë prej tyre, ka thënë të hënën një zëdhënës i talebanëve.
Mina, të cilën fëmijët e gjetën pranë fshatit të tyre në rrethin Gero në provincën Ghazni, ishte e dekadave më parë, ka thënë Hamidullah Nisar, drejtor i departamentit të informacionit dhe të kulturës të talebanëve në Ghazni.
Po ashtu, ai për AFP-në, ka thënë se shpërthimi i së dielës vrau pesë djem dhe katër vajza të moshës 5 deri në 10 vjeç.
Afganistani ka vuajtur nga dekada lufte dhe mbetet shumë i rrezikshëm për fëmijët që mbledhin hekurishte, për t’i shitur për të mbajtur familjet e tyre.
Policia e Ghaznit ka thënë se fëmijët – pesë vajza dhe katër djem – ishin të moshës nga katër deri në dhjetë vjeç.
Një pjesë e Afganistanit është e mbushur me mina të pashpërthyera, granata dhe mortaja nga dekada konflikti, që përfshin pushtimin sovjetik në 1979, lufta civile që pasoi dhe kryengritja 20-vjeçare e talebanëve kundër qeverive të mbështetura nga jashtë.
Mjetet dhe minat e pashpërthyera, megjithatë, ende marrin jetë njerëzish, me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, që thotë se fëmijët janë viktimat kryesore.
Gjithashtu, të dielën, një tjetër fëmijë vdiq dhe pesë persona të tjerë u plagosën, kur një mjet i pashpërthyer shpërtheu në provincën Herat, ka bërë të ditur policia lokale në platformën X.