Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka përkujtuar masakrën e Lybeniqit në 25- vjetorin e saj, teksa ka theksuar se kujtimi i kësaj tragjedie mbetet i gjallë dhe i ndjeshëm për popullin e Kosovës.
Haradinaj ka potencuar se barbaria e shtetit fashist serb nuk reshti për të kryer këtë akt të zi, duke shkaktuar dhimbje të pashembullt në komunitetin lokal.
“Lybeniqi u masakrua edhe më 25 maj 1998, e java e parë e prillit 1999 ishte e kobshme për këtë fshat e zonën përreth, që u bënë cak të represionit të tmerrshëm e të paparë. Armiku ekzekutoi mbi njëqind shqiptarë të paarmatosur, nga fshatrat Lybeniq, Buçan, Rashiq, Loxhë, Kosuriq e Prilep”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
“A vritet njeriu, vetëm se e ëndërron lirinë e Atdheut të tij?” – ka pyetur Haradinaj, teksa ka shtuar se këtë e bëri pa mëshirë barbaria e shtetit fashist serb, që nuk kurseu askënd që i doli para, gra, fëmijë e pleq.
Ai ka theksuar se “asnjëherë nuk do t’i harrojmë njerëzit tanë, që me jetët e tyre i’u bënë mburojë kësaj toke”.