Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e Lulzim Fejzullahut, 18-vjeçarit nga Podujeva.
Dy të dyshuarve u është ngarkuar vepra penale “Vrasje e Rëndë” në aktakuzë, kështu ka thënë për Dukagjinin avokati i familjes Fejzullahu, Tomë Gashi.
“Po, iu është ngritur aktakuzë për veprën penale ‘Vrasje e Rëndë’”, ka thënë ai në përgjigje për Dukagjinin.
Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë e kanë konfirmuar për Dukagjinin se më 25 mars është paraqitur propozim për shqiptimin e dënimit me burgim për të miturit për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 25.03.2024, ka paraqitur Propozim për shqiptimin e dënimit me burgim për të miturit, ndaj dy personave (të mitur), për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë” në bashkëkryerje, pranë gjykatës kompetente”, kështu ka thënë Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Deri më tani, dy të akuzuarit janë duke qëndruar në paraburgim deri në një vendim tjetër të Gjykatës.
Prokuroria, rastin fillimisht e kishte iniciuar si “Vrasje në tentativë”, e më pas është ricilësuar në “Vrasje”.
Vrasja e 18-vjeçarit në Podujevë, mbrohen në heshtje dy të dyshuarit
Më 13 shkurt, një muaj pas vrasjes, dy të miturit të cilët dyshohen për vrasjen e 18-vjecarit Lulzim Fejzullahu, kishin shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje para prokurorit të rastit.
Më 20 janar, Prokuroria ka konfirmuar masën e paraburgimit për të dyshuarit, e cila është aprovuar dhe të dyshuarit aktualisht ndodhen nën masën e paraburgimit.