Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar të rënët në Masakrën e Lybeniqit, për të cilën, ka thënë se sistemi i drejtësisë duhet të angazhohet për drejtësi për viktimat dhe gjykim e dënim të kriminelëve të luftës dhe urdhërdhënësve të tyre.
Kreu i ekzekutivit ka theksuar se Maskara e Lybeniqit ka dëshmi dhe dëshmitarë.
“Në xhaminë e Lybeniqit, ushtarët e Serbisë shtinë me armë automatike me rafalë të përsëritur mbi 66 burra e djem. Nën pirgun e kufomave, mbijetuan 7 burra. Më 1 prill 1999, 59 civilë shqiptarë u ekzekutuan nga pjesëtarë të njësitit ‘Çakejt’ dhe të njësitit ushtarak të Mbrojtjes Territoriale të Serbisë. Lybeniqi i Pejës ishte përfshirë në gjeografinë e krimeve të luftës që më 25 maj 1998, kur policë të Serbisë i vranë nëntë burra. Ndërsa, më 7 prill 1999, ushtarë serbë i vranë 10 shqiptarë në bjeshkët e Lybeniqit. Mes tyre, edhe dy fëmijë, 2 dhe 5 vjeç dhe një grua shtatzënë”.
“E dokumentuar qysh më 1999 nga Human Rights Watch, Maskara e Lybeniqit ka dëshmi dhe dëshmitarë. Sistemi ynë i drejtësisë duhet të angazhohet për drejtësi për viktimat dhe gjykim e dënim të kriminelëve të luftës dhe urdhërdhënësve të tyre”, shkroi Kurti në Facebook.
Për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës, Kurti thotë se kanë zhvilluar bazën ligjore dhe kanë rritur kapacitetet e institucioneve për adresim efikas të këtyre.
“Kemi mundësuar gjykimin në mungesë që kriminelët serbë të luftës të përballen me drejtësi. Sepse këto krime përveçse nuk falen, as nuk vjetrohen kurrë. Me fëmijët e rritur në liri, me nënat heroina që rritën të vetme fëmjët jetim nga lufta, si dhe me ministrat Elbert Krasniqi dhe Hajrulla Çeku e deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës bëmë homazhe në përkujtim të të vrarëve në Lybeniq të Pejës. I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë të rënët në rrugën që kemi kaluar deri te liria jonë! Lavdi”, shtoi më tej ai.