Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kujtuar protestën masive që u mbajt një vit më parë në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ai ka theksuar se ballafaqimi i dinjitetshëm i çlirimtarëve të vendit me drejtësinë e luftës për liri është duke vazhduar edhe sot, duke u bërë kështu rreth tri vite e gjysmë nga fillimi i këtij procesit të gjykimit në Hagë.
Krasniqi ka thënë se misioni i ish-krerëve të UÇK-së ka qenë mbrojtja e Kosovës dhe fitimi i pavarësisë, teksa ka shtuar se ata nuk kanë pasur tjetër projekt rezervë.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre, po bëjnë atë që kanë bërë më së miri gjatë gjithë jetës – mbrojtjen e Kosovës, pavarësisht rrethanave dhe çmimit personal. Besa, nuk ka se si të jetë ndryshe për këta burra, të cilët, përveç lirisë, s’kanë pasur një mision të dytë dhe përveç çlirimit e pavarësisë, s’kanë pasur tjetër projekt rezervë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai ka shtuar se deri në ditën e madhe të lirisë së tyre “qytetarët janë me ta dhe se drejtësia do të triumfojë, ashtu siç edhe dielli do të lind përsëri”.