Këtë të mërkurë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka vizituar komunat në veri të vendit. Po ashtu, kryeministri i Kosovës morri pjesë edhe në përurimin e pllakatës në nder të policit të vrarë Enver Zymeri.
I ftuar për ta komentuar vizitën e Kurtit në veri në emisionin “Five” të RTV Dukagjinit, ishte ish-koloneli i FSK-së, Afrim Veseli.
Sipas tij zyrtarët shtetërorë kanë të drejtë ta vizitojnë çdo cep të vendit, por duhet ta gjejnë kohën dhe mënyrën e duhur.
Ai tha se do ishte më mirë sikurse Kurti t’i vizitonte qytetarët serbë të veriut në mënyrë që t’u tregonte se edhe ata janë shtetas të Kosovës dhe trajtohen njëjtë.
“Vizita do të ishte më e mirë sikur vizita të ishte për një debat me qytetarët në veri të vendit, në veçanti me komunitetin serb atje dhe të ju shpjegohet se ata janë shtetas të Kosovës dhe i gëzojnë të drejtat si çdo qytetarë tjetër. Mos të jetë vetëm një vizitë elektorale”, tha ai.
Veseli theksoi se nuk është njëjtë sikurse takimi në mënyrë fizike sikurse adresimet përmes medieve apo video-incizimeve.
“Mesazhi më i mirë kur ni udhëheqës i një shteti është kur i takon qytetarët, përmes videoklipeve, nuk i përcjellin. Ne e dime se qytetarët atje i kanë programet e Serbisë. Mesazhi që kryeministri ka dashur t’ia adresojë nuk ka shkuar te ta”, tha ai.
Sipas tij vizita e tij është edhe populiste edhe elektorale.
Tutje ai tha se zgjedhjet qendrore mund të jenë afër për shkak të problemeve të brendshme e sidomos atyre të jashtme dhe raporteve me ndërkombëtarët.