Profesori, Seb Bytyqi, për takimin e sotëm për çështjen e dinarit në Bruksel, ka thënë se duket që ka një lëvizje nga Serbia dhe se do të bëjë një kompromis.
“Siç duket ka një lëvizje, edhe gjatë javëve të ardhshme do të ketë reflektim dhe ka gjasa që të ketë edhe lëvizje nga ana e Serbisë, që të bëjë një kompromis që u shkon për shtati të dyja palëve”, ka thënë Bytyqi, duke shtuar se pavarësisht si do të rrjedhë situata, kësaj radhe Serbia do të jetë në një pozicion të vështirë.
Bytyqi, lidhur me këtë takim, është shprehur se kjo situatë ngjan sikur njëra palë e ka mbështetur “për muri” palën tjetër.
“Gjithmonë në këso situata ka një lloj kënaqësie, kur Kosova është në një pozicion më të mirë, ndërsa pala tjetër është në një pozicion më të vështirë. Të themi se ka edhe kërcënime edhe nga BE-ja që nëse nuk bën kompromis do të emërohet si fajtor”, ka thënë Bytyqi, në “FIVE” në RTV Dukagjini.
Profesori ka thënë se do të ishte risi nëse vetëm Serbia do të quhej fajtore, sepse, sipas tij, edhe kur fajin e ka vetëm Serbia, fajësohen të dyja palët, sidomos nga përfaqësuesi Borrell.
Bytyqi ka theksuar se nëse Serbisë i imponohet t’i bëjë transferet e parave përmes bankave, xhirollogarive dhe formave ku ka transparencë më të madhe, do të jetë shumë e vështirë “të mbahet gjallë financimi i krimit të organizuar dhe terrorizmit”.
Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të pajtohen për çështjen e dinarit serb, i cili u ndalua në Kosovë, as pas takimit të tretë radhazi të enjten në Bruksel, konfirmuan kryenegociatorët e të dy vende, të cilët e akuzuan njëri-tjetrin për mungesë vullneti për të gjetur një zgjidhje.
Lexo më shumë: Nuk ka marrëveshje në Bruksel për dinarin, pritet edhe një takim
“Fatkeqësisht, edhe sot kemi pasur dallime të mëdha”, tha kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, duke folur për gazetarë pas takimit me homologun e vet serb, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Lidhur me këtë takim, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka pasur dallime të mëdha dhe se pala serbe ka refuzuar të bashkëpunojë.
Lexo më shumë: Qeveria për takimin në Bruksel: Pati dallime të mëdha, pala serbe refuzoi të bashkëpunonte
Sipas njoftimit, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, pas takimit ka bërë të ditur se ky takim nuk ka qenë as i fundit e as i pari për dinarin, por për t’i trajtuar modelet me të cilat Serbia mund të vazhdojë dërgimin e mbështetjes financiare për serbët e Kosovës brenda rregullores së BQK-së.
“Ky takim as nuk ka qenë i fundit e as i pari për dinarin, mendoj që është koha e fundit që ta shmangni këtë gabim në informim. Takimi është për t’i trajtuar modelet me të cilat Serbia mund të vazhdojë dërgimin e mbështetjes financiare për serbët e Kosovës, brenda rregullores së BQK-së. Rregullorja e BQK-së nuk e përmend dinarin, rrjedhimisht as nuk ka diskutime për dinarin”, ka deklaruar Bislimi.
I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit ka thënë se ka pasur një diskutim në mes të dy kryenegociatorëve për një zgjidhje të përkohshme për personat e prekur nga vendimi i BQK-së.
Lexo më shumë: Lajçaku pas takimit në Bruksel: Arritëm të tejkalonim disa dallime në mes të propozimeve të të dyja palëve
Ai ka thënë se gjatë këtij takimi, përmbushën disa boshllëqe midis propozimeve të të dyja palëve.