Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, për arrestimin e dy personave në Pejë nën dyshimin se kanë paguar për një vrasje, ka thënë se fillimisht ata ishin ndaluar për 48 orë, pastaj janë arrestuar dhe se sot është parashtruar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.
Nikçi ka thënë se këta persona dyshohen për kryerjen e veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
“Fillimisht kemi pranuar informata se do të kryhet vrasje e rëndë, mirëpo pas veprimeve hetimore dhe grumbullimit të provave është kualifikuar kjo vepër”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë në “FIVE” në RTV Dukagjini.
Ai është shprehur se dyshohet që veprën penale të lartëcekur e kanë kryer në marrëveshje.
Më tej, Nikçi ka theksuar se lidhur me rastin janë ndërmarrë veprime parandaluese nga Policia e Kosovës në koordinim me kryeprokurorin për krime të rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë.
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Pejë, nën dyshimin se në vitin e kaluar njëri nga të dyshuarit i kishte dhënë para tjetrit në mënyrë që ta kryente vrasjen e një burri.
Lexo më shumë: Arrestohen dy persona në Pejë, dyshohen për “përgatitjen e një vrasjeje të rëndë”
“Pejë Tetor-Nëntor 2023 – Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi në muajin tetor – nëntor të vitit 2023, njëri i dyshuar i kishte dhënë para të dyshuarit tjetër në mënyrë që ta kryente vrasjen e viktimës mashkull kosovar, ose t’i shkaktonte dëme të mëdha”, thuhet në raportin e policisë.