Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se drafti aktual i Asociacionit është oferta më e varfër që e ka pasur Kosova në tavolinë.
“E kanë degradu procesin, dhimbja më e madhe e krejt kësaj është që nuk ka njohje të ndërsjellë, nuk ka garanca për njohje të pesë vendeve të BE-së, s’ka garanca për NATO. Kur nuk ke njohje të ndërsjellë me Serbinë është shumë problem anëtarësimi në OKB”, ka thënë Hamza.
Ai është shprehur se e di që dialogu Kosovë – Serbi nuk është një temë e lehtë dhe popullore.
“Gjithë liderët politikë dhe institucionalë që janë marrë me këtë temë sigurisht që për asnjërin prej tyre nuk ka qenë pozitë e lehtë. As për z.Thaçi, as për z.Mustafa, në kohën e z.Haradinaj ka pasur një stagnim në çështjen e dialogut, dhe po del që as për z.Kurti”, ka thënë kandidati i PDK-së për kryeministër në “Debat Plus” në RTV Dukagjini.
Tutje, ai ka theksuar se si rezultat i zhvillimeve të fundit, njohja reciproke dhe ajo e ndërsjellë nuk është në tavolinë.
“Mirëpo qëllimi final i dialogut ka qenë njohja e ndërsjellë, njohja reciproke. Kjo ka qenë e theksuar qartë në të dy letrat e presidentëve amerikanë, edhe e presidentit Trump edhe presidentit Biden. Si rezultat i zhvillimeve të fundit, njohja reciproke dhe e ndërsjellë nuk është në tavolinë”, ka shtuar Hamza.
Më 27 mars të këtij viti, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka njoftuar se Bedri Hamza do të jetë kandidat i PDK-së për kryeministër të Republikës së Kosovës.
Krasniqi ka thënë se Hamza është njeriu i duhur për këtë pozitë dhe për kohën në të cilën po kalon Kosova, andaj edhe i ka kërkuar që të marrë këtë përgjegjësi.
Lexo më shumë: Krasniqi nominon Bedri Hamzën kandidat të PDK-së për kryeministër: Do t’i japim Kosovës drejtim të ri
“Jam krenar dhe shumë i lumtur që ta prezantoj para jush Bedri Hamzën, kandidatin tonë për kryeministër të Republikës së Kosovës. Njeriu që do ta ringjallë ekonominë tonë, njeriun që do ta udhëheqë ekipin më të denjë për ta rikthyer Kosovën në rrugën e zhvillimit dhe integrimit. Bedriu është i dëshmuar, është i provuar, është i përkushtuar dhe i gatshëm. Bedri Hamza është njeriu i duhur për këtë detyrë. Arritjet e tij në të kaluarën si ministër i Financave, si guvernator i Bankës Qendrore të Kosovë, por edhe të arriturat e tanishme si kryetar i Mitrovicës, flasin më së miri për punën e tij. Në secilën detyrë publike, Bedriu ka shkëlqyer dhe ka lënë prapa rezultatet të mëdha. Ai ka dëshmuar se gjithmonë i ka shërbyer të mirës së përbashkët dhe është siguruar që askush të mos mbetet prapa”, ka thënë i pari i partisë opozitare.
Duke kërkuar që zgjedhjet e reja të mbahen sa më parë, Krasniqi ka theksuar se modelit aktual të udhëheqjes nga një njeri, PDK-ja do t’i vërë përballë modelin e udhëheqjes nga një ekip.