Tetë të vrarë nga sulmet ruse në lindje të Ukrainës

Rusia sulmoi me dronë disa rajone të Ukrainës, duke shkaktuar vdekjen e tetë personave, përfshirë katër në rajonin e Harkivit. Tre prej të vdekurve në Harkiv ishin punëtorë të ekipeve të shpëtimit, të cilët u goditën nga një sulm i dyfishtë pasi mbërritën në vendin e ngjarjes pas sulmit të parë. Në total, së paku 12 njerëz u plagosën, tre prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë

Ekipet e shpëtimit mbajnë një banor të plagosur vendas në barelë pas një sulmi me raketa në Kharkiv më 4 prill 2024, në mes të konfliktit të vazhdueshëm ruso-ukrainas, AFP.

Rusia i sulmoi me dronë disa rajone të Ukrainës më 4 prill, duke i vrarë tetë njerëz përfshirë katër në rajonin e Harkivit, ku u goditën dy ndërtesa banimi nga një sulm i dyfishtë, të cilin presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e quajti të “neveritshëm”.

Tre nga katër njerëzit e vrarë në Harkiv ishin punëtorë të ekipeve të shpëtimit, të cilët shkuan në vendin e ngjarjes pas sulmit të parë dhe u goditën nga sulmi i dytë, ka thënë guvernatori i këtij rajoni, Oleh Synyehuvov.

Së paku 12 njerëz u plagosën, tre prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, ka shtuar ai.

“Sulmi cinik dhe i neveritshëm, kur ekipet e shpëtimit mbërritën në vendin e ngjarjes, terroristët sulmuan përsëri”, ka thënë Zelensky në platformën X.

Yevhen Vasylenko, zëdhënës i Shërbimit Emergjent Shtetëror, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ekipet e shpëtimit po tentonin t’i shpëtonin njerëzit e ngecur në një ndërtesë më të vogël në afërsi, kur armiku goditi përsëri me dronë.

Ai ka shtuar se ekipet e shpëtimit ia dolën ta shpëtojnë një civil të ngecur nën gërmadha.

“Zakonisht, punëtorët e ekipeve të shpëtimit strehohen nëse ka kërcënim për sulm të dytë, por sot, një person kishte ngecur nën rrënoja dhe i nevojitej ndihma, prandaj ishte e domosdoshme të veprohej menjëherë”, ka deklaruar Vasylenko.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka thënë se 20 dronë e sulmuan vendin gjatë natës mes 3 dhe 4 prillit dhe se 11 prej tyre u penguan nga forcat kundërajrore.

Në rajonin lindor të Donjeckut u vranë dy persona nga të shtënat ruse të artilerisë – një çift i martuar në të 50-at, ka thënë zyra e prokurorit rajonal.

Një sulm tjetër e vrau një burrë në një traktor në rajonin e Harkivit, ka thënë Synyehubov, ndërsa një elektricist u vra nga një sulm me bombë në rajonin Sumi, tha Ministria e Energjisë e Ukrainës.

Instituti për Studimin e Luftës, me bazë në SHBA, shkroi më 3 prill se Rusia mund t’i rrisë sulmet raketore dhe me dronë kundër infrastrukturës civile të Ukrainës, posaçërisht kundër rrjetit energjetik, për t’i bërë “trysni shtesë Ukrainës t’i zhvendosë kundërajrorët larg vijës së frontit”.

Rusia e ka mohuar prej fillimit të pushtimit në shkurt 2022 se i sulmon civilët, por qytetet ukrainase dhe infrastruktura civile janë goditur vazhdimisht nga sulmet raketore dhe me dronë.

Sipas një raporti në shkurt të organizatave ukrainase dhe ndërkombëtare të bamirësisë, së paku 10.500 civilë ukrainas janë vrarë nga “bombardimet e vazhdueshme, minat dhe dronët”, në dy vjetët e fundit.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika