Shala: Vizita e Sveçlës dhe e Haxhiut te vila e Radoiçiqit nuk ishte e nevojshme, s’duhet të politizohet

"Nuk ka pasë nevojë Haxhiu të shkojë atje, Prokuroria e Gjykata e kanë kryer punën, agjencia nuk do të ishte afruar atje pa vendimin e gjykatës, mirë që kanë shkuar, por nuk duhet të politizohet kjo çështje", ka deklaruar Shala

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka thënë se vizita e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, te vila e Radoiçiqit e cila u sekuestrua sot nga Policia e Kosovës nuk ishte e nevojshme.

Shala në emisionin “FIVE” ka thënë se kjo çështje nuk duhet të politizohet, pasi puna e madhe është kryer nga prokuroria e gjykata dhe se Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë të Kosovës nuk do mund të afrohej atje pa vendimin e gjykatës.

“Nuk ka pasë nevojë Haxhiu të shkojë atje, Prokuroria e Gjykata e kanë kryer punën, agjencia nuk do ishte afruar atje pa vendimin e Gjykatës, mirë që kanë shkuar, por nuk duhet të politizohet kjo çështje”, ka deklaruar Shala.

Po ashtu, edhe ish-hetuesi policor, Naser Sopjani, në një lidhje direkte në “FIVE” ka pohuar se policia ka qenë vetëm asistente e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara.

Sopjani ka thënë se Prokuroria kishte dhënë propozimin, pastaj Gjykata vendimin, ndërsa agjencia dhe policia janë vetëm ekzekutues të vendimit.

“Prezenca e policisë ka qenë vetëm asistencë, në këtë rast policia është asistencë e agjencisë, e cila vepron komplet në atë që përmban urdhri i gjykatës për sekuestrim të përkohshëm”, ka thënë Sopjani.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, këtë të premte ka shkuar në vilën e Milan Radojçiqit, tashmë të sekuestruar nga Policia e Kosovës.

Lexo edhe: Sveçla e Haxhiu shkojnë te vila e sekuestruar e Radojçiqit në veri

Po ashtu, pas mbërritjes së Sveçles atje, atij i është bashkuar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë për mediet se Policia tashmë ka vendosur kamera sigurie dhe është e pranishme në këtë vilë.

Sot, në një aksion në veriun e Kosovës, Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara konfiskoi dy prona të paluajtshme në Mitrovicën e Veriut dhe një në Komunën e Zubin Potokut, të cilat janë të lidhura me sulmin e një grupi të armatosur serbësh në Banjskë.

Në këtë aksion asistente ishte Policia e Kosovës.

Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se ka pasur një urdhër gjykate për konfiskimin e tri pronave, vilës së Millan Radoiçiqit, restorantit Grey dhe një banese në katin e gjashtë mbi restorantin Grey.

Këto tri prona të paluajtshme ishin sekuestruar fillimisht nga Prokuroria e Kosovës në shtatorin e vitit të kaluar.

Vila e Radoiçiqit gjendet buzë liqenit të Ujmanit në Komunën e Zubin Potokut në veri të Kosovës, ndërsa restoranti dhe banesa gjenden në Mitrovicë të Veriut – dy komuna të banuara me shumicë serbe.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika