Për Zveçan dhe Leposaviq nuk dihet, por në Mitrovicën Veriore sipas kryetarit Erden Atiq, procesi i regjistrimit të popullsisë po shkon pa asnjë problem.
“Në komunën e veriut të Mitrovicës ne nuk i kemi këto problem që u cekën më herët edhe me tableta, edhe me logjistika e tjerë e tjerë. Në komunën tonë sot në orën 8 të mëngjesit ekipet veç kanë filluar kanë dalë në terren, i presim informatat e para”, ka deklaruar Atiq, kryetar i Mitrovicës Veriore.
Në takimin me Kryeministrin dhe kryetarët e komunave tjera, Atiqi nuk tregoi nëse në orën tetë në terren kanë dalë edhe regjistruesit serbë.
Për dallim me të, homologu nga Zubin Potoku, tregoi se regjistrimi i popullsisë është shtyrë për për javën tjetër dhe është përcjellë me dorëheqje nga komuniteti serb.
“Regjistrimi do të fillojë të hënën, sot pritet t’i nënshkruaj një pjesë për shkaqë të problemeve teknike. Shumica e konkurrentëve regjistrues të shumicës serbe janë tërhequr nga konkurrenca e tyre për të qenë regjistrues, kanë mbetur vetëm dy”, ka deklaruar Izmir Zeqiri, kryetar i Zubin Potokut.
Zeqiri dhe Atiq udhëheqin komunat në të cilat ka luftë të hapur kundër regjistrimit të popullsisë. Lista Serbe gjatë ditës iu ka bërë thirrje serbëve të bojkotojnë këtë proces, duke propaganduar se është i rrejshëm dhe duke akuzuar kinse për represion e spastrim etnik.
Në takimin e thirrur nga Ministria e Pushtetit Lokal, kryeministri më shumë e moderoi bashkëbisedimin, duke iu bërë thirrje përfaqësuesve kompetentë të mbajnë shënime për ankesat.
“S’duam ta mohojmë punën e askujt deri tani, përkundrazi jemi shumë të interesuar të përfshijmë të gjitha dokumentimete e deritanihsme të krimeve të kryera gjatë luftës”, ka deklaruar Kurti.
Material për shënime kishte mjaftueshëm nga disa kryetarë, përjashto ata që i përkasin Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët më shumë dhanë komplimente për procesin, sesa ankesa.
“Sot nuk ka filluar regjistrimi dhe është shtyrë për të hënën kjo për shkak të disa problemeve teknike të cilat nuk kanë arritur me kohë t’i përgatisin”, ka deklaruar Kujtim Gashi, Nënkryetar i Prizrenit
“Këtu e shoh vështirësinë se nuk janë planifikuar mjete ose janë sanksionuar ata që janë në një punë tjetër”, ka deklaruar Smajl Latifi, Kryetar i Rahovecit.
“Unë nuk e di a kemi të drejtë por unë kisha thënë që me e shty edhe dy javë ditë me e zgjatë procesin e regjistrimit se e kemi bukur vështirë, me e kry mirë”, ka deklaruar Ramiz Lladrovci, Kryetar i Drenasit.
Kërkesa e Lladrovcit u refuzua nga ushtruesi i detyrës së kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave.
Në këtë organizim jo por më vonë Kastrati e konfirmoi se në pjesën veriore janë tërhequr regjistruesit serb për shkak të presionit.
“Sa i përket pjesës veriore kemi pas regjistrues dhe mbikëqyrës sa kemi kërkuar, mirëpo duket se ata kanë një lloj trysnie nga komuniteti i tyre, por ne kemi gjetur regjistrues dhe të hënën do të fillojnë trajnimet për komunitetin serb në veri, në katër komunat, dhe shpresojmë që edhe ata do të jenë të gatshëm.”, ka deklaruar Kastrati.
Kastrati po ashtu tha se ketë ndonjë bojkotim ad-hoc apo ndonjë trysni, por procesi do të ec përpara.