Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 25-vjetorin e masakrës në Reznik të Vushtrrisë, ku më 6 prill 1999, katër njësi të forcave të armatosura serbe hynë me dhunë në katër shtëpitë e shqiptarëve.
“Në kohë të njëjtë, vranë nëntë anëtarë të kësaj familje, e kështu vepruan më vonë edhe ndaj familjeve Mustafa, Makiqi dhe Bunjaku. Kujtojmë sot civilët e vrarë në Reznik. Nuk e harrojmë asnjëherë dhembjen e qëndresën e popullit tonë. Nuk i harrojmë të dashurit tonë që i humbëm në rrugën e vështirë deri te fitorja e çlirimi”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka thënë se fshati Reznik në komunën e Vushtrrisë, ishte bërë strehë për mijëra civilë shqiptar nga Drenica, që ishin të detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre.
“Civilët e pambrojtur qëndronin në kushte të rënduara, që e dëshmoi edhe komisionerja e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Sadako Ogata gjatë vizitës në shtator 1998, siç shihet në videon nga arkiva e AP”, ka thënë tutje kreu i ekzekutivit kosovar.
Ai është shprehur se nderojnë çdo ditë kujtimin për ta, sipas tij, duke u angazhuar për forcimin e Republikës së Kosovë. “Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!”.