Policia e Kosovës, ka dalë me një sqarim pas raportimeve se ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve të cilët kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës që nga ora dhjetë.
Sipas policisë, protesta e veteranëve të UÇK-së, ka filluar të mbahet pa u lajmëruar në polici.
Në njoftimin e tyre thuhet se, disa nga protestuesit kanë tentuar të futen me forcë brenda objektit të Kuvendit të Kosovës dhe se kanë hedhur mjete te forta në drejtim të policisë dhe lloje të gazit.
“Përderisa protesta ishte duke u mbajtur, disa nga protestuesit kanë tentuar me forcë të depërtojnë t’i dëmtojnë dyert e Parlamentit për të hyrë brenda, si dhe kanë hedhur mjete të ndryshme të forta, lloje të gazit/tymit në drejtim të zyrtarëve të PK-së”, thuhet në njoftim.
“Policia e Kosovës, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, informon dhe njëherit demanton shkrimet e publikuara në portale, ku thuhet se kinse Policia ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, se në asnjë rast apo rrethanë nuk ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, por dyshohet se lloji i gazit/tymit, është hedhur nga persona/protestues brenda masës”, vijon njoftimi.
Policia ka njoftuar se dy pjesëtarë të saj kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme, të cilëve sipas tyre u është ofruar tretman mjekësor.
Poashtu, sipas njoftimit, një qytetar ka kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e gazit të hedhur.