Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit kanë validitet ndërkombëtar, sepse fjala e dhënë e një presidenti apo e një kryeministri para ndërmjetësve ndërkombëtarë është po aq e vlefshme sa edhe nënshkrimi.
Kështu thotë diplomati austriak, Wolfgang Petritsch, ish-përfaqësues i BE-së në bisedimet në Rambuje.
“Është praktikë evropiane, që në rastet kur dy politikanë të lartë, krerë të dy shteteve pajtohen dhe marrin zotime para dëshmitarëve ndërkombëtarë, që në këtë rast është Bashkimi Evropian, pra, kur ata japin një pëlqimin verbal për një çështje të caktuar para ndërmjetësve ndërkombëtarë, atëherë kjo marrëveshje është e vlefshme, pra, ka vlefshmëri ndërkombëtare.
Këto marrëveshje, kjo në Bruksel dhe Ohër, ashtu si më parë, janë të vlefshme, dhe unë besoj se Brukseli do të zhvillojë takime të tjera me Beogradin, që ta detyrojë të njohë marrëveshjet dhe zotimet që ka marrë përsipër. Kjo marrëveshje tashmë është pranuar, sepse fjala e një presidenti apo e një kryeministri, është po aq e vlefshme sa edhe nënshkrimi i tij”, ka shtuar ai.
Kurse, sa i përket zbatimit të kësaj marrëveshjeje, Petrisch është shprehur skeptik.
“Si të them, si një njohës i situatave në Ballkan dhe Evropë, më shumë jam skeptik. Për shembull, ju i dini vështirësitë që Bullgaria po ia nxjerr Maqedonisë së Veriut, duke e bllokuar fillimin e negociatave për anëtarësim, me kushtëzimin e njohjes zyrtare të gjuhës bullgare. Kjo është një dëshmi se edhe brenda Bashkimit Evropian ende nuk jemi të gatshëm të respektojmë të gjitha dallimet që ekzistojnë mes nesh, qofshin ato të vogla apo të mëdha. Ose rasti i Serbisë, që po vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, dhe kjo çështje mund të zgjidhet vetëm përmes ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian.
Prandaj, unë them se, sa më shumë që të ketë përparim në dialog, aq më afër qëllimit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve do të jemi. Siç e dimë, në vitin 2024, ku jemi tash, kemi zgjedhjet në BE dhe ato në SHBA. Duke u nisur nga kjo, nuk besoj se do të ketë përparime të dukshme në dialogun për normalizim. Zoti Lajçak, gjithashtu, përfundon mandatin dhe kjo do të thotë që Bashkimi Evropian duhet të caktojë një ekip të ri për lehtësimin dhe ndërmjetësimin e dialogut. Të shpresojmë që në vitin 2025 të ecim përpara, ndonëse kam frikë se mund të ketë edhe kthim prapa në procesin e dialogut. Është e rëndësishme të theksojmë se gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja në dhjetë vitet e kaluara ka pasur përparime të mëdha. Kjo ka ndodhur edhe kohët e fundit, siç është marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të targave. Pa dyshim, ka ndryshime substanciale, por, sidoqoftë, është e pamjaftueshme. Shpresoj se ekipi i ri i Bashkimit Evropian për ndërmjetësimin dhe lehtësimin e dialogut do të ushtrojë një trysni të madhe te Beogradi për të shkuar përpara, sepse tashmë kemi një marrëveshje dhe ajo duhet të zbatohet!”, ka shtuar ai.
Diplomati austriak ka theksuar se raportet në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të tensionuara.
“Po, aktualisht ka raporte relativisht të tensionuara në mes të Uashingtonit dhe Prishtinës, pasi Uashingtoni ka filluar të humbë durimin. Kanë kaluar 25 vjet nga ndërhyrja ushtarake dhe Kosova është i vetmi vend në botë që u shpëtua përmes ndërhyrjes ushtarake. Kosova është absolutisht një përjashtim në historinë e re të Evropës.
Nuk po më kujtohet asnjë rast tjetër kur një shtet si në rastin e Kosovës është krijuar nga bashkësia ndërkombëtare, përmes ndërhyrjes politike dhe ushtarake. Shtetet e Bashkuar, pra Uashingtoni, po thotë se për këtë vend kanë bërë shumë. Janë angazhuar aq shumë për lirinë e popullit të Kosovës dhe tani duan të shohin, thënë ashtu, zgjidhje kompromisi për disa çështje, që mbase mund të jenë të dhimbshme në një mënyrë për Prishtinën, por janë të domosdoshme”, ka shtuar Petrisch.
Për Marrëveshjen e Rambujesë të vitit 1999, ai thotë se ka një vlerë historike, sepse i hapi rrugë ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, duke theksuar se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, e çdo veprim ushtarak ndaj Kosovës do ta mobilizonte NATO-n.
“Kosova tani është 100 për qind në agjendat e politikave të përbashkëta të sigurisë të BE-së dhe Vuçiq e di se çdo veprim ushtarak kundër Kosovës, do të mobilizonte NATO-n për kundërpërgjigje”, ka thënë Petritsch, në një intervistë për Radio Kosovën.