Redaksia e Shtëpisë Botuese ”Dukagjini” ka përzgjedhur me kujdes autorët dhe veprat e tyre, ku po me aq kujdes ka bërë edhe përzgjedhjen e përkthyesve për ato vepra për kolanën ”Anima”.
Kolana “Anima” synon që lexuesve t’iu sjellë tituj të përzgjedhur nga letërsia e mirëfilltë botërore.
Lidhur me këtë kolanë, Portali D ka realizuar një intervistë me redaktoren përgjegjëse të kolanës ”Anima”, Adelinë Selmani.
Portali D: Çfarë risish u sjell lexuesve kolana “Anima”?
Selmani: Kjo kolanë mëton të jetë një ekskurs nëpër një plejadë autorësh, gjegjësisht veprash, të letërsisë botërore. Së këndejmi, përmes kësaj kolanë, ne synojmë qendërzimin e vëmendjes së lexuesit në letërsinë e mirëfilltë.
Portali D: Në shtatë veprat e para spikaten gjithashtu edhe përkthyesit, ku me sa duket shtëpia botuese ka bërë një përzgjedhjeje edhe të përkthyesve, ju lutem a mund të flisni më shumë rreth kësaj?
Selmani: Përveç përzgjedhjes së kujdesshme të autorëve e veprave, gjithashtu synojmë që edhe përkthyesit të jenë pak a shumë të të njëjtit kalibër me të parët, duke bërë kështu që edhe veprat të vijnë në gjuhën shqipe sa më besnikërisht e me një gjuhë shumë të rafinuar. Përgjithësisht, përkthyesit jo vetëm që njohin shumë mirë të dyja gjuhët, pra gjuhën nga e cila përkthejnë dhe gjuhën shqipe, por edhe njohin veçant autorët, kontekstet shoqërore në të cilat kanë shkruar ata dhe veprat e tyre. Shumë prej tyre i kanë studiuar ose kanë sjellë në shqip edhe më parë vepra të tjera të autorëve gjegjës.
Portali D: Për ta nxjerrë në dritë një botim të kolanës “Anima”, nëpër çfarë procesesh kalon ai brenda redaksisë?
Selmani: Secili përkthim kalon nëpër disa filtra redaktorialë, para se të arrijë në dorën e lexuesit, duke përfshirë këtu redaktimin letrar dhe atë gjuhësor. Një kujdes i veçantë i kushtohet gjuhës, duke mëtuar kështu që, te lexuesit, përmes librave tanë, ta kultivojmë një kompetencë të kënaqshme gjuhësore. Gërshetimi i punës profesionale të redaksisë dhe i përkthimeve shumë cilësore ka bërë që këta libra të karakterizohen me një pasuri leksikore shumë të madhe, shpeshherë duke sjellë, qëllimshëm, njësi leksikore dialektore ose duke riaktivizuar e rikontekstualizuar fjalë të leksikut latent për ta bërë pasurimin e fjalorit mendor të lexuesve.
Portali D: A do të ketë në “Anima”, vepra vetëm nga letërsia apo do të përfshihen edhe vepra nga fusha të tjera, si: filozofia, sociologjia etj.?
Selmani: Kjo kolanë është konceptuar si seri librash letrarë, kështu që do ta vazhdojë ta ndjekë një linjë të tillë, gjithsesi, duke qenë se autorët e përfshirë, përveç të tjerash, kanë qenë eruditë, p.sh., njohës të filozofisë, po përmend këtu vetëm Miguel de Unamunon dhe Mircea Eliaden, rrjedhimisht edhe veprat e tyre, ndonëse letrare shenjohen e përshkohen nga një frymë filozofike.
Portali D: Cilin tip lexuesi synon ta tërheqë kjo kolanë?
“Anima” nuk synon ta tërheqë një tip lexuesi në veçanti, kësisoj ajo i dedikohet një audiencë të gjerë – të gjithë atyre që e vlerësojnë artin e vlerat e mirëfillta letrare.
Portali D: A mund të na tregoni, cili do të jetë libri i radhës i kolanës, gjegjësisht i teti?
Selmani: Libri i tetë i kësaj kolanë është “Varfanjaku i Zotit” i Nikos Kazanxaqisit, i përkthyer në mënyrë mjeshtërore nga Romeo Çollaku. Ky libër do të arrijë në duart e lexuesve në shqip, për herë të parë, gjatë Panairit të 22-të të Librit. Pra, nga e marta, librin mund ta gjeni në stendën e shtëpisë botuese “Dukagjini”.
Portali D: Meqë e përmendët Panairin, çfarë risish të tjera do të ketë Dukagjini për lexuesit e vet në këtë Panair?
Selmani: Përveç kolanës “Anima”, ne kemi filluar edhe një seri tjetër librash letrarë, atë të përkthimit të gjashtëmbëdhjetë veprave të Hermann Hesses dhe, në këtë Panair, lexuesi besnik i “Dukagjinit” do të takohet për herë të parë me dy botimet tona, “Ujkun e Stepës” dhe “Peter Camenzindin”. Gjithashtu, për herë të parë në shqip vjen edhe “Mëngjes te Tiffany”. Ndërsa në kuadër të imprintit “Lekë”, për një tip tjetër lexuesish, do të sjellim dy tituj të rinj.
Gjithsesi do të ketë edhe risi të tjera, por do t`i shpërfaqim ditëve në vazhdim.